Shqipëria nuk preket shumë nga lufta, raporti BERZH

BERZH nuk e përfshin Shqipërinë në listën e vendeve të rajonit që do preken më shumë nga lufta.

Një raport i fundit i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), i cili fokusohet në efektet potenciale ekonomike të konfliktit në Lindjen e Mesme, nuk e ka renditur Shqipërinë në mesin e ekonomive që pritet të ndikohen më shumë nga kriza. Në rajon, vendet që parashikohet të preken më shumë janë Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.

Indeksi i BERZH merr në konsideratë disa faktorë kryesorë:

  • Ndikimin ushtarak.
  • Ndërprerjet e drejtpërdrejta në tregti dhe turizëm.
  • Importet e naftës, gazit dhe plehrave kimike.
  • Remitancat nga ekonomitë e vendeve të Gjirit (GCC).
  • Kapacitetin fiskal të qeverive për të përballuar goditjet nga rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve (i matur përmes të kundërtës së raportit të pagesave të interesit ndaj PBB-së).

Shqipëria duket se përfiton nga fakti se ka një deficit të ulët të tregtisë së naftës, pasi është edhe eksportuese, ndryshe nga vende si Maqedonia e Veriut. Për më tepër, Shqipëria ka një intensitet më të ulët të përdorimit të naftës në ekonomi krahasuar me Maqedoninë e Veriut, Bosnjën, Malin e Zi dhe Serbinë, e matur me fuçi për 1000 USD ndaj GDP.

Megjithëse Shqipëria është vendi i dytë në rajonin e BERZH me varësinë më të lartë të turizmit, pas Libanit (e matur me të ardhurat hyrëse të turizmit në raport me PBB-në), ajo nuk renditet në listën e vendeve që do preken më shumë. Kjo kryesisht për shkak të pozicionimit gjeografik larg shteteve të përfshira në konflikt.

Ndikimi në rajonin e BERZH

Ndikimi ekonomik i konfliktit në Lindjen e Mesme, sipas raportit të BERZH, lidhet kryesisht me rritjen e çmimeve të energjisë, ndërprerjet në tregti dhe turizëm, si dhe shtrëngimin e kushteve financiare globale. Rritja e çmimit të naftës mbi 100 dollarë për fuçi dhe dyfishimi i çmimit të gazit në Europë po krijojnë presion mbi ekonomitë importuese dhe po nxisin inflacionin global. Nëse këto nivele çmimesh vazhdojnë, rritja ekonomike globale mund të ngadalësohet me të paktën 0.4 pikë përqindje, ndërsa inflacioni të rritet mbi 1.5 pikë përqindje.

Raporti thekson se efektet ndryshojnë nga vendi në vend. Ekonomitë që varen më shumë nga importet e energjisë, nga remitancat nga vendet e Gjirit apo nga turizmi, janë më të ekspozuara. Në listën e vendeve më të prekura përfshihen Libani, Jordania, Egjipti, Ukraina, Moldavia, Turqia dhe në rajonin e Ballkanit, Maqedonia e Veriut. Këto vende kanë ose varësi të lartë nga energjia e importuar, ose lidhje të forta tregtare dhe financiare me rajonin e Gjirit.

Në Ballkanin Perëndimor, ndikimi është i pabarabartë. Maqedonia e Veriut renditet ndër më të ekspozuarat për shkak të deficitit të lartë energjetik dhe varësisë nga importet. Mali i Zi dhe Serbia shfaqin gjithashtu një nivel më të lartë ndjeshmërie, për shkak të strukturës së ekonomisë dhe lidhjeve tregtare.

Ndërkohë, Shqipëria nuk shfaqet në listën e vendeve më të prekura për disa faktorë strukturorë:

  • Lidhjet direkte tregtare të Shqipërisë me vendet e Gjirit dhe Iranin janë relativisht të kufizuara krahasuar me ekonomitë e tjera, duke reduktuar ekspozimin ndaj ndërprerjeve të drejtpërdrejta në tregti.
  • Remitancat nga vendet e Gjirit nuk përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë shqiptare, ndryshe nga vende si Egjipti apo Jordania, ku ato arrijnë deri në 4-8% të PBB-së.
  • Edhe pse Shqipëria ka një varësi të lartë nga turizmi (e dyta në rajon), ajo përfiton nga një bazë më e diversifikuar turistësh dhe nga afërsia me tregjet europiane, duke e bërë më pak të ndjeshme ndaj krizave në Lindjen e Mesme.

Pavarsisht se raporti nuk e rendit Shqipërinë ndër vendet më të prekura, kjo nuk do të thotë se ajo është e imunizuar. Si importuese neto e energjisë, Shqipëria mbetet e ekspozuar ndaj rritjes së çmimeve të naftës dhe gazit, të cilat mund të çojnë në kosto më të larta për bizneset dhe konsumatorët. Gjithashtu, rritja e çmimeve të plehrave kimike dhe ushqimeve, e lidhur me energjinë, mund të ushqejë presionet inflacioniste në vend.

Scroll to Top