Nga Pallati i Ri i Sportit te Biblioteka Kombëtare, Rama prezanton projektet që pritet të zbatohen: Shqipëria, pikë referimi në arkitekturën bashkëkohore
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Konkursin Ndërkombëtar për “Shtëpinë e Re të Fëmijëve dhe Kompleksin e Inspektorateve Shtetërore”. Kreu i qeverisë foli për projektet që do të zbatohen, duke theksuar se Shqipëria është bërë një pikë referimi në arkitekturën bashkëkohore.
“Një tjetër arsye për t’u ndjerë mirë është fakti se arritëm të vendosim edhe një projekt tjetër në radhën e këtyre projekteve që janë tashmë në një fazë të avancuar dhe një pjesë e tyre janë gati të marrin lejen e zhvillimit dhe të fillojnë punimet. Falë këtij procesi do të kemi një stadium të ri me përmasa europiane, një tjetër vepër arkitektonike, Bibliotekën Kombëtare, një mjedis shumë i nevojshëm prej vitesh, si dhe një vepër tjetër të spikatur jo vetëm në historinë e vendit tonë, por edhe në arkitekturën bashkëkohore. Do të kemi gjithashtu një kompleks të ri zyrash për administratën dhe një numër të konsiderueshëm institucionesh. Do të kemi Pallatin e Ri të Sportit, një vepër mbresëlënëse që në projekt mori mbështetjen e jurisë, si dhe një sërë veprash të tjera me interes të madh publik.”
“I hapim rrugën dy drejtimeve të reja për krijimin e kushteve për fëmijët që janë në duart e solidariteti, jetimët, dhe për korpusin e ri të inspektorateve. Dua të falënderoj kryeinspektorin që për 10 vite rresht drejtoi një institucion që lindi nga hiçi dhe sot është gati të bëjë një ‘hop’ tjetër.”
“Ndërkohë që Shqipëria është bërë pikë referimi në arkitekturën bashkëkohore, ajo është njëkohësisht edhe një universitet i hapur që u jep mundësi arkitektëve të rinj shqiptarë, që përmes bashkëpunimit të drejtpërdrejtë, të marrin dije. U them atyre që do të humbin, që këtu në Shqipëri nuk ka të humbur, edhe humbja është prezantim me vendin, dhe vendi nuk i lëshon”, u shpreh ai.
