Integrimi në BE: Raportuesi i PE paralajmëron për luftën kundër korrupsionit
Andreas Schieder, Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Europian për Shqipërinë, ka theksuar sot progresin e rëndësishëm të Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Europian.
Gjatë një konference për shtyp, Schieder deklaroi se fokusi nuk duhet të jetë vetëm te hapja e kapitujve, por edhe te mbyllja e tyre. Ai vlerësoi përkushtimin e Shqipërisë ndaj reformave, duke veçuar procesin e rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilin e cilësoi si një hap që ka pasur një reflektim pozitiv në opinionin publik.
Raportuesi i PE nënvizoi rëndësinë e mosbërjes së “hapave pas” dhe nevojën për të vazhduar përpara. Ai shtoi se për të qenë i suksesshëm, procesi i anëtarësimit kërkon bindjen e publikut.
Schieder bëri thirrje për një komunikim efektiv nga të gjitha palët e përfshira – qeveria, opozita, dhe mediat – për të qartësuar pozicionin aktual të Shqipërisë dhe drejtimin që duhet të ndjekë për të arritur qëllimet e saj. Ai shprehu dëshirën për ta parë zgjerimin e BE-së si një realitet konkret.
“Shqipëria ka patur një ecuri madhore në negociata. Vlerësimi i Komisionit në pranverë do të jetë i favorshëm, duke mundësuar Shqipërinë të fillojë mbylljen e kapitujve. Megjithatë, nuk bëhet fjalë vetëm për hapjen e tyre, por edhe për mbylljen. Mbyllja nuk nënkupton vetëm miratimin e legjislacionit. Qëllimi nuk është thjesht kënaqësia e BE-së duke miratuar ligje, por afrimi me standardet europiane në zbatim. Pra, pas miratimit të legjislacionit, ka shumë punë për të bërë. Kjo më duket pozitive, pasi Shqipëria ka vendosur t’i përkushtohet reformave, duke ndërmarrë hapin e rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, gjë që ka reflektuar mirë në opinionin publik. Nuk duhet të ngecësh në vend apo të bësh hapa pas. Duhet të bindësh publikun. Unë dua që zgjerimi të bëhet realitet dhe ta shoh konkretisht. Këtu, arena politike, qeveria, opozita, media – të gjithë duhet të bëjnë të pamundurën për të pasur një komunikim të duhur se ku është Shqipëria tani dhe ku duhet të arrijë”, tha ai.
