Die. Dhj 16th, 2018

Shqipëria shpall “non grata” eurodeputeten qipriote

TIRANË, 10 nëntor .- Shqipëria ka shpallur sot person të padëshirueshëm eurodeputeten qipriote, Eleni Theocharous.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, në një deklaratë dhënë për mediet, nga Glevin Dervishi, këshilltar për Rajonin i Ministrit Bushati bëri të ditur se, në mbrojte të rendit kushtetues, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme i kërkoi shpalljen si person “non grata” të deputetes qipriotë, Eleni Theocharous.

“Provokimet dhe thirrjet ekstremiste nuk mund të lejohen në vijimësi. Qeveria e Shqipërisë është e vendosur të mos tolerojë thirrjet për cenimet territoriale. Greqia mike dhe populli i saj janë shumë të vlefshme për ne. Shfaqja e orkestruar si një provokim agresiv në Bularat, e cila e ktheu një ceremoni mortore në një manifestim sfidues ndaj rendit kushtetues, sigurisë e qetësisë publike të Republikës së Shqipërisë, me thirrje ekstremiste, nxitje të urrejtjes dhe thirrje për përçarje mes qytetarëve shqiptarë me kombësi shqiptare e greke, ishte e papranueshme për shtetin e për shoqërinë shqiptare. E cila është një shoqëri e bashkëjetesës demokratike, ku minoritetet janë të mbrojtura me një ligj te standardeve me të larta europiane dhe ku minoriteti grek është një pasuri e një ure e pazëvendesueshme fqinjësie të mirë me Greqinë mike. Në mbrojte të rendit kushtetues, sigurisë kombëtare, qetësisë publike dhe pacënueshmërisë në asnjë lloj forme të tërësisë territoriale të Republikës së Shqipërisë, autoritetet shqiptare janë mbështetur në mekanizma tërësisht ligjor për adresimin e problematikës së kësaj situate. Në bashkëveprim ndërinstitucional dhe pas vlerësimit të kryer nga institucionet e specializuara, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme i propozoi Ministrisë së Brendshme shpalljen “non grata” (person i padëshirueshëm në Shqipëri) të eurodeputetes qipriote Eleni Theocharous”, – u shpreh ai.

Ministria e Brendshme referuar statusit politiko-diplomatik dhe angazhimit të saj në Parlamentin Europian, pas vlerësimit dhe në mbështetje të propozimit të MEPJ, gjykuar në materialet referuese të administruara nga Ministria e Brendshme, vendosi të miratojë kërkesën e MEPJ.

“Ky vendim vjen si reagim i detyruar kushtetues e ligjor i institucioneve te Republikës së Shqipërisë, ndaj shfaqjeve të përsëritura ekstremiste të eurodeputetes Eleni Theocharous. Prononcimet e saj që nxisin urrejtjen, cënimin e rendit kushtetues të vendit tonë, ngritjen e pretendimeve territoriale ndaj Republikës së Shqipërisë, nuk mund dhe nuk do të mund të bëhen më në tokën shqiptare. Mbështetur në procedurat diplomatike dhe konsullore, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, do të përcjellë nëpërmjet kanaleve diplomatike vendimin për të ndaluar hyrjen e mëtejshme në Shqipëri të Eleni Theocharous. Qeveria e Republikës së Shqipërisë është e vendosur për të kontribuar vijimësisht për stabilitetin rajonal, për të bashkëpunuar ngushtësisht me fqinjët e partnerët ndërkombëtar, por është po ashtu e vendosur të mos tolerohet, për asnjë arsye shfaqje sfiduese ndaj rendit kushtetues, thirrje cënuese për tërësinë territoriale dhe akte dëmtuese të harmonisë mes qytetareve te Republikës së Shqipërisë. Greqia mike e populli i saj janë një aset shume i vyer ne kapitalin e miqësive tradicionale te Shqipërisë e te popullit shqiptar. Elemente apo grupe ekstremiste qe ne greqisht apo edhe ne shqip, flasin një gjuhe të përbashkët urrejtjeje e përçarjeje, e cila nuk ka lidhje me gjuhën europiane qe bashkon popujt e shtetet tona, s’do te kenë asnjë shans të minojnë rrugën tone të përbashkët të paqes e te bashkëpunimit strategjik ne funksion të së ardhmes që meritojnë fëmijët e sotëm të Shqipërisë e të Greqisë”, – përfundoi Dervishi. e.xh/e.caushi/

Kategori