Mër. Tet 17th, 2018

Shqipëria të ndërmarrë vendime strategjike për negociatat e ardhshme

TIRANË, 10 tetor /ATSH-Gjergji Mima/ – “Ka ardhur koha që Shqipëria të ndërmarrë vendime strategjike, të cilat do të kenë ndikim në gatishmërinë e saj për negociatat e ardhshme. E di që keni marrë vendime të tilla, megjithatë duhen marrë më tepër”, deklaroi sot Drejtori i Përgjithshëm në Komisionin Europian, Christian Danielsson, në seminarin “Impakti i negociatave të anëtarësimit në punën e autoriteteve dhe ministrive relevante në një vend negociues – Mësime të nxjerra nga Republika e Kroacisë”, i zhvilluar në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, në kuadrin e përgatitjeve të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Danielsson deklaroi se, është shumë e rëndësishme gjithashtu që Shqipëria, në fazën parapërgatitore, të marrë parasysh jo vetëm rezultatet e diskutimeve që janë zhvilluar deri tani me Komisionin, por edhe përvojat e vendeve që kanë kaluar më parë këtë proces, duke u fuqizuar më shumë për fazën pasardhëse.

Danielsson u shpreh se, “pritet që të ketë progres në aspekte thelbësore të tilla si zbatimi i reformës në gjyqësor, veçanërisht historiku i Vetingut, përfundimi i çështjeve prioritare”.

Rëndësi, theksoi ai, “ka formimi i kuadrit institucional të gjyqësorit sikurse parashikohet në paketën reformuese kushtetuese, si edhe rezultatet kryesore në gjurmimin e të dhënave për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet”.

Danielsson u shpreh besimplotë se, “Shqipëria do të vazhdojë të tregojë vendosmërinë që nevojitet për të realizuar arritje në të gjitha këto procese”.

Danielson nënvizoi se, “përfshirja në negociata me Bashkimin Europian është qartësisht territor i panjohur për çdo administratë dhe mund të flasë nga përvoja personale. Kështu ka qenë dhe për Kroacinë. Po e njëjta gjë vlen edhe për qeverinë, parlamentin dhe për shoqërinë civile. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që çdo vend dhe në këtë rast për Shqipërinë, të mbështetet në rezultatet e diskutimeve që janë zhvilluar më përpara dhe nga përvojat e mëparshme dhe në këtë mënyrë të fuqizohet për fazën e ardhshme, e cila do të nisë pasi të merret vendimi për hapjen e negociatave”.

“Strategjia e Ballkanit Perëndimor e miratuar në shkurt përsërit angazhimin pa ekuivok të mbështetjes së BE kur bëhet fjalë për perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor. Do të thoja se deri tani ky është momenti më i mirë në marrëdhëniet tona dhe ky është modeli më i mirë i angazhimit tonë. Ne e kemi konfirmuar se dera e Unionit mbetet e hapur dhe pikërisht për këtë jam i kënaqur, që të nis lehtësimin e përgatitjeve, duke nisur që sot dhe duke pasur parasysh sfidat që presim në të ardhmen pas këtij seminari”, – tha Danielsson.

Drejtori i Përgjithshëm në Komisionin Europian, Christian Danielsson theksoi se “seminari i sotëm është hartuar në mënyrë të tillë që të nxirrni sa më shumë mësime për përvojën që kaloi Kroacia. Një përvojë e suksesshme. Duke parë përvojën e fundit të Kroacisë mendoj se kemi mundësinë më të mirë për të identifikuar mënyrat më të duhura të Shqipërisë për të forcuar administratën e vet. Ne mund të mësojmë prej përvojës së grupit të Kroacisë dhe të mësojmë se si të vendosim prioritetet dhe se si mund të veprojmë në këtë proces të ndërlikuar”. /e.caushi/

Kategori