Vendimi i UEFA-s, ndryshim drastik për Kombëtaren në pjesën e dytë të vitit 2026
Viti 2026 ofron një mundësi të artë për Shqipërinë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, me mundësinë e parë për të marrë pjesë në play-off në mars.
Megjithatë, nëse pjesa e parë e vitit do të jetë e fokusuar te Botërori, në pjesën e dytë të vitit 2026, vëmendja do të kthehet te ndeshjet e Ligës së Kombeve, ku UEFA ka vendosur një ndryshim radikal.
Kalendari ndërkombëtar për vitin 2026 parashikon që në pjesën e dytë të vitit, gjatë periudhës së Ligës së Kombeve, të ketë për herë të parë një “dritare të gjatë” ndeshjesh ndërkombëtare. Kjo do të thotë se dritaret e ndeshjeve të shtatorit dhe tetorit do të bashkohen.
Sipas vendimit të UEFA-s, ekipet kombëtare do të luajnë 4 ndeshje në periudhën 24 shtator – 6 tetor, si dhe 2 ndeshje të tjera në periudhën 12-17 nëntor.
Kjo është hera e parë që aplikohet një dritare e përbashkët për shtatorin dhe tetorin nga UEFA. Ky ndryshim, fillimisht i parashikuar për vitin 2027, vjen pas kërkesave të klubeve evropiane, të cilat protestonin kundër udhëtimeve të shumta të futbollistëve në pjesën e parë të edicionit.
Shqipëria, duke marrë pjesë në Ligën C të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, do të ketë si objektiv kryesor fitimin e grupit. Kjo fitore do të mundësojë sigurinë e paktën të pjesëmarrjes në play-off për Kampionatin Evropian të vitit 2028.
