Shqiptar arrestohet në Itali për trafik droge drejt Anglisë

Drejtonte grup droge në Angli, shqiptar arrestohet në aeroportin e Veronës

Një kontroll rutinë pasagjerësh në Aeroportin Valerio Catullo të Italisë, më 10 nëntor, u shndërrua në një arrestim të profilit të lartë. Policia Kufitare e Veronës ndaloi një 32-vjeçar shqiptar nga Tirana, për të cilin rezultonte të ishte lëshuar një urdhër-arrest evropian nga Mbretëria e Bashkuar për trafik droge.

Sistemi TIMS konfirmoi identitetin e 32-vjeçarit dhe përputhshmërinë e tij me urdhër-arrestin ndërkombëtar. Sipas autoriteteve britanike, i riu kishte një rol qendror në një organizatë kriminale të dedikuar për shpërndarjen e kokainës në bregdetin jugor të Anglisë. Ai ishte përgjegjës për menaxhimin e grupit, si dhe për rekrutimin e personelit dhe përgatitjen e sasive të drogës.

Hetimet e zhvilluara në Britani kanë rezultuar në sekuestrimin e mbi 28 kilogramëve kokainë dhe rreth 175,000 paund cash (afërsisht 200,000 euro). Një detaj i rëndësishëm i nxjerrë nga hetimet lidhet me blerjet online të të arrestuarit. Midis qershorit dhe dhjetorit 2024, ai dyshohet se ka porositur materiale paketimi, sasi të mëdha acetoni dhe pulla druri me shkronja, numra dhe simbole identike me ato të gjetura në blloqet e kokainës së sekuestruar.

Pas përfundimit të formaliteteve në zyrat e Policisë, 32-vjeçari u dërgua në burgun e Veronës. Ai pret procedurat e ekstradimit drejt Mbretërisë së Bashkuar, ku rrezikon një dënim të rëndë, përfshirë burgimin e përjetshëm.

Scroll to Top