Një 19-vjeçar shqiptar në Britani është dënuar me 6 vite e 3 muaj burg për tentativë importimi të një arme zjarri nga SHBA.
Henri Nikolli, banues në Hertfordshire, kishte porositur në marsin e vitit të kaluar, nga një kompani amerikane, një pako të përshkruar si “paketë trajnimi për qen”. Megjithatë, gjatë kontrollit nga Siguria Kombëtare, në paketë u gjetën një pistoletë dhe municione.
Nikolli u arrestua më 10 prill 2025 jashtë një shtëpie. Gjatë kontrollit në banesën e tij, u zbuluan tri armë të vjetra të modifikuara, duke treguar aftësinë e tij për të prodhuar ose përshtatur armë dhe municione.
Gjithashtu, në shtëpi u gjet një ambient i përshtatur për kultivimin e kanabisit, duke përfshirë një tendë të madhe dhe mbetje bimësh të kultivuara. Pranë gjendeshin qese të vogla për shitje dhe një peshore, çka tregonte për përgatitjen e drogës për tregtim. Disa qese me kanabis bimor dhe fara u gjetën në frigorifer.
Kontrollet e mëtejshme në shtëpinë dhe makinën e Nikollit nxorën në dritë municione shtesë, thika, telefona dhe disa karta SIM.
Një nga sendet e sekuestruara ishte edhe një fletore ku përshkruheshin artikuj, mjete të nevojshme për modifikimin e armëve dhe municioneve, si dhe video të testimimeve të armëve në ambiente publike.
Nikolli pranoi fajësinë për disa akuza në janar 2026, në një gjykatë në St Albans. Autoritetet britanike theksuan se ky dënim përfaqëson një goditje ndaj krimit të organizuar dhe një mesazh të qartë për ata që përfshihen në trafikun e armëve dhe drogës.
