Nga arratisjet tek grabitjet me dhunë, arrestohet shqiptar në Athinë
Policia greke ka arrestuar një shtetas shqiptar, i cili ishte arratisur në vitin 2019 nga Shërbimi i Migracionit në Athinë. Në atë kohë, i arrestuari, së bashku me tre bashkatdhetarë të tjerë, kishin kërcënuar policinë me armë të improvizuara.
Më pas, ata kishin marrë një makinë patrullimi dhe gjatë arratisjes, kishin qëlluar tre herë kundrejt forcave të policisë. Mediat greke raportojnë se ai u arrestua pas një ndjekjeje në këmbë në tregun e perimeve Rentis dhe u dërgua në burg.
Ai u dënua, por rifilloi aktivitetin kriminal. Në bashkëpunim me dy burra dhe një grua, ai tentoi të grabiste një person në zonën e Thermos. Autorët i zunë pritë jashtë shtëpisë së viktimës dhe e sulmuan. Megjithatë, ata nuk arritën të përfundonin grabitjen pasi gruaja filloi të bërtiste, duke alarmuar kështu lagjen.
Pas kësaj ngjarjeje, policia greke nisi kërkimin për të. Ata arritën të lokalizonin makinën dhe apartamentin Airbnb të marrë me qira nga autorët. Mes të arrestuarve janë edhe dy shtetas shqiptarë të tjerë, të cilët në fillim të janarit 2025 ishin arratisur nga Qendra e Paraburgimit Rural Kassavetia.
Gjatë kontrollit të kryer nga policia në shtëpinë e marrë me qira, u gjet një pushkë ushtarake me stok të ndarë, me dy karikatorë të lidhur me shirit izolues, të cilët mbanin gjithsej 57 fishekë të kalibrit 7,62 mm.
