E rëndë në Itali, shqiptari goditet për vdekje nga treni
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Itali, ku një emigrant shqiptar ka humbur jetën në mënyrë tragjike, pasi u godit nga treni.
Ngjarja ka ndodhur në Ankonë, rreth orës 07:00, në stacionin e trenit të linjës Pescara-Milano. Viktima është një shqiptar 53-vjeçar, identiteti i të cilit nuk është bërë ende publik.
Policia hekurudhore dhe zjarrfikësit shkuan në vendngjarje për të shpëtuar personin, por pa sukses.
Sipas raporteve fillestare, ngjarja dyshohet të ketë qenë e qëllimshme. Ky dyshim mbështetet në deklaratat e një dëshmitari, i cili pohoi se e ka parë 53-vjeçarin, banues në Merano, duke u hedhur qëllimisht në shinat e trenit, ndërsa një tren i tipit ‘Frecciarossa’ po afrohej.
Skena ka qenë tronditëse për udhëtarët dhe qytetarët e pranishëm. Hetimet janë duke u zhvilluar për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Paraprakisht, dyshohet për një akt vetëvrasjeje, por nuk përjashtohet as mundësia e një aksidenti apo ndonjë problemi shëndetësor.
Mediat italiane raportojnë se shërbimi i rregullt i trenave në linjën Adriatike, ku ndodhi ngjarja, ka rifilluar.
