Shqiptarë në burgjet e Britanisë: 5 në ditë të dënuar

“The Sun”: Pesë shqiptarë burgosen çdo ditë në Britaninë e Madhe

Sipas një investigimi të gazetës “The Sun”, çdo ditë në Mbretërinë e Bashkuar dënohen me burg rreth pesë shtetas shqiptarë.

Të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë tregojnë se gjatë vitit, deri në shtatorin e kaluar, 1,865 shqiptarë janë dërguar në burg.

Shtetasit shqiptarë përbëjnë vazhdimisht përqindjen më të lartë të të huajve në burgjet britanike, duke zënë rreth 9% të totalit prej 75,289 të burgosurve aktualë.

Një analizë e veçantë e “The Sun” zbulon se gjatë tre muajve të parë të këtij viti, 58 shqiptarë janë dënuar me të paktën një vit burg për krime të ndryshme, duke përfshirë trafikimin e drogës dhe atë të personave.

Sipas ligjit britanik, të huajt që marrin dënime prej 12 muajsh ose më shumë marrin automatikisht urdhër deportimi pas vuajtjes së dënimit.

Ligje të reja, të propozuara nga Partia Laburiste, parashikojnë që disa të burgosur të mund të deportohen edhe pasi të kenë vuajtur një të tretën e dënimit, në krahasim me gjysmën e dënimit aktualisht.

Që nga zgjedhjet e vitit 2024, sipas të dhënave të Laburistëve, mbi 58,500 emigrantë të paligjshëm dhe të huaj të dënuar janë larguar ose deportuar nga Britania e Madhe.

Mbretëria e Bashkuar ka një marrëveshje për transferimin e burgosurve me Shqipërinë, e cila lejon që çdo shqiptar i dënuar me mbi katër vjet nga një gjykatë britanike të kthehet në vendin e tij për të vuajtur dënimin.

Një zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë deklaroi: “Qeveria ka rritur ndjeshëm deportimin e të huajve të dënuar, me mbi 8,700 të larguar që nga korriku 2024 – një rritje prej 32% krahasuar me 19 muajt e mëparshëm. Për më tepër, po ndryshojmë ligjin për të lejuar deportimin e të burgosurve të huaj më herët se kurrë më parë.”

Scroll to Top