Anketë: 54.5% e shqiptarëve nuk përballojnë një shpenzim të papritur prej 1000 eurosh
Më shumë se gjysma e familjeve shqiptare nuk janë në gjendje të përballojnë një shpenzim emergjent që kërkon rreth 1000 euro.
Sipas të dhënave nga anketa “Security Meter 2025” e realizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Shqipëria ka pasur përqindjen më të lartë të familjeve që nuk përballojnë një emergjencë financiare.
Shqipëria raporton shkallën më të lartë të pasigurisë financiare në Rajon për vitin 2025. 54.5% e të anketuarve deklarojnë se nuk mund ta mbulonin një shpenzim të tillë në mënyrë të pavarur. Ky tregues shënon një rritje të lehtë nga 53.3% në vitin 2024.
Në Maqedoninë e Veriut, situata është gjithashtu shqetësuese, me pothuajse gjysmën (48.1%) të popullsisë të paaftë për të menaxhuar një kosto të tillë emergjente në vitin 2025.
Nga ana tjetër, Kosova tregon nivele më të larta përballimi të emergjencave. 50.1% e të anketuarve thanë se mund ta mbulonin shpenzimin, duke shënuar një përmirësim të dukshëm nga 38.2% në vitin 2024.
Bosnja dhe Mali i Zi shfaqin përmirësime në vitin 2025, me rreth një të tretën e popullsisë që deklarojnë se mund ta menaxhonin koston.
Serbia paraqet një trend më shqetësues. Në vitin 2025, vetëm 25.2% e të anketuarve thanë se mund të përballonin një shpenzim prej 1,000 eurosh, një rënie e ndjeshme nga 35.0% në vitin 2024. Për më tepër, Serbia kishte një përqindje të lartë të të anketuarve që u përgjigjën “vështirë të thuhet” (38.7%) në vitin 2025, duke treguar pasiguri në rritje ose mungesë qartësie mbi financat e familjes.
Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se vetëm një e treta (33.1%) e të anketuarve në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ndihen të sigurt se familja e tyre mund të menaxhojë një shpenzim të papritur prej 1,000 eurosh pa marrë hua ose pa u mbështetur te të tjerët. Kjo shënon një rënie të lehtë nga 36.7% në vitin 2024, çka sugjeron një përkeqësim të perceptimit mbi qëndrueshmërinë financiare.
Të dhënat tregojnë se situata është përkeqësuar në shumë vende të Ballkanit Perëndimor midis viteve 2024 dhe 2025, duke reflektuar brishtësinë ekonomike të vazhdueshme dhe presionet që mund të nxisin emigrimin ose të kufizojnë mirëqenien në rajon.
