Shqiptarët po marrin në masë pasaporta italiane dhe greke (shifrat)
Vala e re e emigracionit masiv që ka përfshirë vendin po reflektohet në numrin e lartë të shtetësive që po marrin shqiptarët në vendet e Bashkimit Europian. Të dhënat e fundit të Eurostat bëjnë të ditur se për shtetasit shqiptarë u dhanë 48 mijë shtetësi nga vendet e BE-së ku ata jetonin, duke i renditur ata të tretët për nga numri, pas Sirisë dhe Marokut, dy shtete me një popullsi shumë më të lartë sesa Shqipëria.
Italia është vendi që ka dhënë më shumë shtetësi për shqiptarët, duke përfaqësuar 66% të totalit. Kjo pasqyrohet edhe në Greqi, ku shqiptarët renditen të parët për marrjen e shtetësisë, dhe gjithashtu edhe në Itali.
Eurostat njoftoi se në vitin 2024, pothuajse 1.2 milionë persona fituan shtetësinë e vendit të BE-së ku jetonin, duke shënuar një rritje prej 11.6% (+122 700 persona) krahasuar me vitin 2023. Krahasuar me vitin 2014, kur u dhanë gjithsej 762 100 shtetësi, numri i shtetësive të dhëna u rrit me 54.5%.
Pjesa më e madhe e këtyre shtetësive të reja u dha nga:
- Gjermania (288 700; 24.5% e totalit të BE-së)
- Spanja (252 500; 21.4%)
- Italia (217 400; 18.5%)
Shumica e përfituesve (88.0%) ishin nga vende jashtë BE-së, ndërsa shtetasit e vendeve të tjera të BE-së përbënin 10.6%.
Në vitin 2024, ashtu si edhe një vit më parë, shtetasit sirianë përbënin grupin më të madh të qytetarëve të rinj të BE-së, me 110 100 shtetësi të dhëna. Shtetasit marokenë ishin grupi i dytë më i madh, me 97 100 shtetësi të dhëna, të ndjekur nga shqiptarët me 48 000.
Norma e natyralizimit tregon numrin e personave që fitojnë shtetësinë në një vend gjatë një viti, në raport me numrin total të banorëve jo-shtetas në fillim të atij viti. Në vitin 2024, Suedia regjistroi normën më të lartë të natyralizimit ndër vendet e BE-së, me 7.5 shtetësi të dhëna për çdo 100 banorë jo-shtetas, e ndjekur nga Italia (4.1) dhe Spanja e Holanda (secila me 3.9). Në anën tjetër të shkallës, normat më të ulëta të natyralizimit për 100 banorë jo-shtetas u regjistruan në Lituani (0.1), Bullgari dhe Estoni (secila me 0.3).
