Shqiptarët: Mbi 2 mijë kthyer nga BE në tremujorin 1, 2026

Shqiptarët, një nga grupet kryesore të kthyer nga Europa; BE riktheu mbi 2 mijë persona në janar-mars

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, shtetasit shqiptarë përbënë grupin e tretë më të madh të qytetarëve nga vende të treta të kthyer në vendin e origjinës, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Eurostat. Në total, 2,050 shtetas shqiptarë u rikthyen nga vendet e Bashkimit Europian, pasi u lëshua një urdhër largimi për ta. Ky numër i rendit pas qytetarëve të Turqisë, të cilët ishin 3,555, dhe atyre të Gjeorgjisë, me 2,060.

Në periudhën janar-mars 2026, vendet anëtare të Bashkimit Europian lëshuan gjithsej 108,475 urdhra largimi për shtetas të vendeve jo anëtare të BE-së. Nga këta, 34,550 persona u kthyen në vendet e tyre të origjinës pas zbatimit të vendimeve për largim.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, vërehet një ulje prej 12.8% e numrit të personave që morën urdhër largimi, ndërkohë që numri i atyre që u kthyen në vendin e origjinës pati një rritje prej 8.1%. Edhe në raport me tremujorin e fundit të vitit 2025, urdhrat e largimit shënuan një rënie prej 7.9%, ndërsa kthimet u rritën me 2%.

Sa i përket shtetësive të personave që morën urdhër largimi, në krye të listës ishin qytetarët e Algjerisë, me 11,105 raste, të ndjekur nga ata të Marokut (6,435) dhe Sirisë (5,355).

Nga ana tjetër, Franca ishte vendi që lëshoi numrin më të lartë të urdhrave të largimit, me 34,880 raste, e ndjekur nga Gjermania (10,360) dhe Spanja (9,275). Gjermania realizoi numrin më të madh të kthimeve në vendet e treta, duke u renditur e para me 7,300 persona, pasuar nga Franca me 3,775 dhe Polonia me 2,660.

Scroll to Top