Shqiptarët në Itali: 102 mijë zotërojnë biznese, duke u bërë aset ekonomik për të dy vendet
Një në pesë shqiptarë që jeton në Itali është i regjistruar si person fizik ose zotëron një kompani në vendin fqinj. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë mbrojtjes në Parlament të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe asaj italiane për bashkëpunim strategjik, ka sjellë në vëmendje disa shifra domethënëse.
Kjo marrëveshje synon të forcojë bashkëpunimin në fusha të tilla si kujdesi shëndetësor, energjia, mjedisi, industria e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimi i migracionit, arsimi, inovacioni, diaspora, transformimi ekonomik dhe rritja inteligjente.
“Jo i vogël është kontributi që shqiptarët kanë në Itali, jo vetëm në drejtim të punësimit, por edhe si sipërmarrës. Janë plot 102 000 shqiptarë të regjistruar si persona fizikë ose si sipërmarrës që zotërojnë apo drejtojnë kompani. Ata janë një aset ekonomik dhe social për të dy vendet dhe një urë e rëndësishme bashkëpunimi”, tha Ibrahimaj.
Aktualisht, sipas shifrave zyrtare të lejeve të qëndrimit, në Itali jetojnë mbi 500 mijë shtetas shqiptarë. Ibrahimaj u ndal gjithashtu te kontributi që Italia jep në Shqipëri, duke nënvizuar se në vendin tonë operojnë mbi 6 200 kompani italiane, ndërsa stoku i investimeve të huaja italiane ka arritur në 1.84 miliardë euro.
Italia përfaqëson mbi 45% të eksporteve të mallrave shqiptare, duke qenë destinacioni kryesor i produkteve shqiptare. Pikërisht kjo marrëdhënie e ndërsjellë e bën të rëndësishme, sipas ministres, marrëveshjen që mundëson një partneritet strategjik më të lartë.
“Përmes kësaj marrëveshjeje synohet transferimi i dijes, teknologjisë dhe praktikave më të mira, duke forcuar institucionet tona dhe duke përmirësuar cilësinë e shërbimeve publike. Në terma konkretë, kjo do të thotë më shumë projekte të përbashkëta, më shumë bashkëpunim mes universiteteve, institucioneve kërkimore dhe bizneseve, si dhe një rol më aktiv të diasporës në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit”, tha Ibrahimaj.
Gjithashtu, u theksua se marrëveshja ndikon drejtpërdrejt edhe në punësim dhe kapitalin njerëzor.
“Projektet që priten të zhvillohen do të krijojnë vende të reja pune, do të rrisin cilësinë e punësimit dhe do të investojnë në aftësi profesionale në sektorë me vlerë të shtuar si energjia, industria, infrastruktura, mbrojtja, shëndetësia dhe inovacioni”, tha ministrja.
