Shqiptari dënohet me 15 vite burg në Republikën Domenikane
Një shtetas shqiptar është dënuar me 15 vite burg për trafik droge në Santo Domingo, kryeqytetin e Republikës Domenikane.
Sipas informacioneve, gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për të dënuar shqiptarin, i cili në vitin 2024 u përpoq të kontrabandonte 40 pako kokainë me peshë 39.13 kilogramë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Las Américas drejt Madridit të Spanjës.
Prokurorët i paraqitën gjykatës prova të mjaftueshme për të provuar fajësinë e shtetasit shqiptar Sejdin Kote, i akuzuar për trafik kombëtar dhe ndërkombëtar të drogës.
Prokurori hetues César Augusto Veloz shpjegoi se natën e 16 nëntorit 2024, anëtarët e Qendrës së Përbashkët të Informacionit dhe Koordinimit të Drejtorisë Kombëtare të Kontrollit të Drogave po vëzhgonin imazhet e aparaturave me rreze X në terminalin e aeroportit. Ata vunë re pamje të dyshimta në valixhet e shqiptarit. Gjatë kontrollit të valixheve u zbulua lënda narkotike.
