Shqiptari plagoset rëndë pas tentativës për grabitje në Itali
Një 40-vjeçar shqiptar mbeti i plagosur gjatë një konfrontimi me banorët në Arnad, në veriperëndim të Italisë, më 5 dhjetor, pas një tentative për vjedhje. Ai dyshohet se u sulmua me një objekt të mprehtë, mendohet një kazmë, duke pësuar frakturë të legenit dhe dëmtime në pjesën e poshtme të barkut.
Karabinierët arrestuan menjëherë shqiptarin dhe sekuestruan sendet e vjedhura, të cilat përfshinin 500 euro në para të gatshme, bizhuteri dhe një çantë me vlerë rreth 5,000 euro.
Një bashkëpunëtor i tij arriti të arratisej në zonën pyjore përreth. Hetimet zbuluan se autorët kishin hyrë në banesë duke hapur me forcë një derë me rrjetë. Më parë, në të njëjtin qytet, ishte regjistruar edhe një tjetër tentativë vjedhjeje.
I arrestuari ndodhet aktualisht në Spitalin Parini dhe do të qëndrojë aty deri sa gjendja e tij shëndetësore të lejojë transferimin në paraburgim.
Hetimet nga Karabinierët e Châtillon/Saint-Vincent po vazhdojnë për të identifikuar personat që sulmuan personin e dyshuar për vjedhje.
