Shmanget tragjedia në Itali, shqiptari tenton të djegë të gjallë gruan me benzinë
Një krim familjar është shmangur në momentin e fundit në Itali. Pas një konflikti të vazhdueshëm mes bashkëshortëve, një shqiptar 43-vjeçar ka tentuar të vrasë gruan e tij duke i vënë zjarrin.
Ngjarja ka ndodhur në Civitavecchia mbrëmjen e 1 janarit dhe u bë publike sot nga mediat italiane. Forcat e policisë njoftuan se kanë arrestuar të dyshuarin, me origjinë shqiptare, i cili akuzohet për kërcënim dhe sulm ndaj bashkëshortes me qëllim vrasjeje. Ndërhyrja e shpejtë e policisë parandaloi që tragjedia të ndodhte.
Drama u zhvillua brenda banesës ku jetonte çifti. Sipas rindërtimit të ngjarjes nga ana e policisë, shqiptari, në një moment të zemërimit të dhunshëm gjatë një debate për një çështje të parëndësishme, fillimisht kërcënoi të vriste gruan e tij, dhe më pas hodhi lëndë të ndezshme mbi rrobat e saj dhe dyshemenë e kuzhinës. Qëllimi i tij, sipas hetimit, ishte t’i vinte flakën bashkëshortes.
Megjithatë, përpjekja për kryerjen e sulmit u ndalua falë ndërhyrjes së guximshme të djalit të mitur të çiftit. Duke shfrytëzuar një moment shpërqendrimi, ai arriti t’i merrte babait çakmakun dhe të fitonte kohë derisa mbërriti policia. Ndërhyrja e tyre parandaloi më të keqen.
Mbërritur në vendngjarje, policia nisi hetimin fillestar dhe konstatoi se incidenti nuk ishte i izoluar. Janë zbuluar raste të mëparshme dhune dhe ngacmimi ndaj gruas, të cilat nuk ishin raportuar më parë, duke treguar një përshkallëzim të gjatë dhe të vazhdueshëm të abuzimit, siç raportojnë mediat fqinje.
Shqiptari, i cili rezulton të ketë qenë i dhunshëm edhe më parë ndaj bashkëshortes, u arrestua në flagrancë dhe është në pritje të procesit hetimor e gjyqësor.
