“`html
Itali/ Shqiptari humb jetën në një aksident pune
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në Pozzallo të Italisë, ku një 36-vjeçar shqiptar ka humbur jetën teksa po punonte.
Sipas raporteve paraprake, aksidenti fatal u shkaktua nga një pjesë e dëmtuar e krahut mekanik të një pompe betoni (mikser betoni), e cila po përdorej për hedhjen e një pllake betoni në një banesë private në Pozzallo, pranë kryqëzimit të Via San Giovanni dhe Corso Vittorio Veneto.
Mediat italiane raportojnë se gjatë procesit të punës me makinerinë, duket se ka ndodhur një defekt, çka ka sjellë vdekjen e 36-vjeçarit në vendngjarje.
Dëshmitarë okularë kanë folur për një mundësi shembjeje të vinçit të përdorur në kantierin e ndërtimit, një detaj që po hetohet nga autoritetet për të përcaktuar saktësisht cilën makinë dhe si ka ndodhur dështimi.
Një punëtor i dytë, operator vinçi, u përfshi gjithashtu në aksident dhe raportohet se ka pësuar lëndime të lehta. Ai është dërguar në spital, por gjendja e tij nuk paraqet rrezik për jetën.
Shërbimet e urgjencës u njoftuan menjëherë. Në vendngjarje mbërritën efektivë të karabinierëve nga stacioni i Pozzallo, së bashku me njësinë e radiomobilës së Modica-s dhe inspektorë të Spresal, për të nisur hetimet dhe për të zbardhur dinamikën e ngjarjes.
Sekretarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, deklaroi: “Shprehim ngushëllimet tona familjes së punëtorit që humbi jetën në kantierin e ndërtimit në Pozzallo, Ragusa, ku u plagos edhe një punëtor tjetër. Por duhet të jemi të qartë për sigurinë: duhet të bëjmë shumë më tepër. Vitin e kaluar, kishte rreth shtatëdhjetë inspektorë pune në Siçili, për një rajon me miliona banorë. Ne duhet dhe mund të bëjmë më shumë.”
“`
