Shteg turistik në Dumre, projekti 3 kilometra lidh zonat pranë liqeneve
Një shteg turistik prej 3 kilometrash në zonën e Dumresë synon të lidhë disa zona pranë liqeneve, duke lehtësuar kështu aksesin për vizitorët.
Projekti i Bashkisë Belsh, me një vlerë prej 160 mijë euro, parashikon ndërtimin e një shtegu që do të lidhë të paktën tre zona të rëndësishme turistike.
Sipas raportit teknik të projektit, shtegu ka një gjatësi totale prej 3 kilometrash dhe do të shërbejë si rrugë lidhëse mes zonave “Eco Park”, “Liqeni i Degës” dhe “Liqeni i Paraskës”. Shtegu do të ketë një gjerësi prej 3 metrash dhe është konceptuar për përdorim të përbashkët nga këmbësorë, biçikleta dhe mjete të vogla të mirëmbajtjes.
Dokumenti thekson se ndërtimi i këtij shtegu do të përmirësojë ndjeshëm aksesin në zonën e Dumresë, e cila konsiderohet ndër më interesante në vend falë liqeneve të saj karstike. Në vitet e fundit, zona është orientuar drejt investimeve në sektorin e turizmit, duke shfrytëzuar bukuritë e saj natyrore.
“Dumreja është e njohur për peizazhin e saj të veçantë natyror, të ndërtuar nga një seri liqenesh karstike të shpërndara në gjithë territorin, të cilat përbëjnë një aset të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit natyror dhe ekologjik,” thuhet në raport. “Rruga turistike e planifikuar lidh tre pika me interes të lartë rekreativ – Eco Park, Liqenin e Degës dhe Liqenin e Paraskës – duke kaluar nëpër një terren me bimësi të ulët, toka bujqësore e pyjore dhe zona me pjerrësi të moderuar.”
Për shkak të aksesueshmërisë së kufizuar ekzistuese, ky projekt synon të krijojë një itinerar të qëndrueshëm dhe të përshtatshëm për vizitorë dhe banorë vendas, duke përmirësuar lidhjen mes këtyre zonave natyrore.
Projekti parashikon gjithashtu vendosjen e sinjalistikës orientuese dhe informative për turistët, si dhe rehabilitimin e anësive të rrugës me elementë natyrorë dekorativë.
