Belgjikë, forcat ushtarake në terren për sigurinë e komunitetit hebre
Autoritetet belge kanë vendosur forca ushtarake në qytetet kryesore të vendit për të forcuar sigurinë e komuniteteve hebraike, pas një sërë sulmesh antisemite të raportuara në Belgjikë dhe Holandë.
Sipas gazetës “Times Of Israel”, ushtarët janë vendosur në rrugët e qyteteve të mëdha belge për të rritur mbrojtjen e komuniteteve hebraike, pas ngjarjeve që zyrtarët i cilësojnë si sulme antisemite, si në Belgjikë ashtu edhe në Holandë.
Ky vendim vjen pas një shpërthimi në një sinagogë në Liezh këtë muaj, të cilin autoritetet e kanë etiketuar si një akt antisemit.
“Nga sot, po i kthejmë ushtarët në rrugët e Brukselit dhe Antverpit, sepse siguria është një e drejtë themelore,” ka deklaruar Ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken, përmes një postimi në platformën X.
Vendosja e forcave ushtarake po kryhet në bashkëpunim me policinë federale dhe synon ruajtjen e objekteve me rëndësi për komunitetin hebre, siç janë sinagogat dhe shkollat, sipas njoftimeve të autoriteteve belge javën e kaluar.
“Antverpi është përsëri pak më i sigurt… dhe komuniteti hebraik gjithashtu. Ne i themi JO antisemitizmit!”, ka shtuar Francken.
Masat e shtuara të sigurisë vijnë gjithashtu pas një sulmi me zjarrvënie në një sinagogë në Roterdam, si dhe një shpërthimi në një shkollë hebraike në Amsterdam, në Holandën fqinje. Policia holandeze ka arrestuar pesë persona të moshës 17 deri në 19 vjeç, në lidhje me sulmin në sinagogën e Roterdamit.
Një zëdhënës i Ministrisë belge të Mbrojtjes ka bërë të ditur se ushtarët do të vendosen në tre faza: fillimisht në Bruksel dhe Antverp, dhe më pas në Liezh.
Grupet për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësime rreth sulmeve të mundshme ndaj komuniteteve hebraike në mbarë botën, pas fillimit të konfliktit mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit. Të hënën, katër ambulanca të një organizate të komunitetit hebre në veri të Londrës u dogjën.
