Transformimi i Tiranës dhe sfida e sigurisë: Pse inxhinieria e mbrojtjes nga zjarri është jetike sot
Ndërsa Tirana dhe qytetet kryesore të Shqipërisë po i nënshtrohen një transformimi urban të shpejtë, me mbi 140 kulla dhe komplekse të larta që po ridhënë profilin e kryeqytetit, nevojat për strategji të avancuara të sigurisë nga zjarri bëhen më të theksuara se kurrë. Ky zhvillim urban i vrullshëm vjen në një kohë kur vendi përballet me sfida të konsiderueshme sa i përket sigurisë nga zjarri në ambiente banimi. Pavarësisht rritjes së dukshme të dendësisë urbane, praktikat aktuale shpesh dështojnë të mbajnë hapin me kompleksitetin në rritje të ndërtimeve të reja, duke krijuar një boshllëk midis nevojave për siguri dhe masave mbrojtëse të zbatuara në praktikë.
Në tregun shqiptar, ku ndërtohen objekte me përdorime të përziera, duke përfshirë banesa, zyra dhe hapësira tregtare, ndërgjegjësimi për rreziqet dhe zbatimi i standardeve të larta mbeten ende sfida kryesore. Për të adresuar këto mangësi dhe për të shkëmbyer përvojat më të mira ndërkombëtare, SFPE Albania (Society of Fire Protection Engineers) organizon konferencën dhe ekspozitën ndërkombëtare “Tirana Fire Safety 2026”, nën moton “Safety by Design” (Siguria përmes Dizajnit), e cila do të mbahet në shtator në Tiranë. Ky event ka për qëllim të theksojë rolin vendimtar të inxhinierisë së mbrojtjes nga zjarri.
Me kalimin nga ndërtesat e ulëta në mjedise komplekse vertikale, shpesh duke arritur mbi 30, 40 apo edhe 70 kate, kërkesat teknike për sigurinë e jetës janë rritur ndjeshëm. Konferenca do të shërbejë si një platformë për diskutimin e zhvillimeve më të fundit në:
- Sistemet e avancuara të mbrojtjes nga zjarri.
- Modelimin kompjuterik të zhvillimit të zjarrit.
- Strategjitë e integruara të sigurisë.
Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet diskutimeve mbi kuadrin rregullator: nevojës për modernizimin e kodeve të zjarrit dhe kalimit nga rregulloret përshkruese drejt atyre të bazuara në performancë, të cilat garantojnë një nivel më të lartë sigurie për banorët. Takimi do të trajtojë gjithashtu sfidat e ndërtimit modern, siç janë siguria gjatë fazës së ndërtimit, trajtimi i ndërtesave ekzistuese, përdorimi i materialeve të reja dhe ndikimi i ndryshimeve drejt burimeve të energjisë elektrike.
Në konferencën “Tirana Fire Safety 2026” do të marrin pjesë një grup i gjerë ekspertësh, duke përfshirë autoritete dhe figura të shquara ndërkombëtare të inxhinierisë së mbrojtjes nga zjarri. Eventi do të mirëpresë arkitektë dhe inxhinierë të njohur globalisht, të cilët do të ndajnë përvojat e tyre mbi sfidat e ndërtimeve të larta. Përfaqësues të institucioneve shqiptare do të bashkëbisedojnë me ekspertët për modernizimin e kornizës rregullatore në vend. Gjithashtu, do të jenë të pranishëm prodhues të teknologjive të avancuara të mbrojtjes nga zjarri dhe përfaqësues të industrisë së ndërtimit. Ky aktivitet shërben si një platformë e rëndësishme për rrjetëzimin e zhvilluesve, konsulentëve dhe organeve të certifikimit që operojnë në tregun shqiptar dhe rajonal.
SFPE Albania, e cila vepron në vend si pjesë e shoqatës ndërkombëtare me qendër në Shtetet e Bashkuara, ka si qëllim avancimin e praktikave inxhinierike dhe edukimin e komunitetit për reduktimin e risqeve nga zjarri.
