Mar. Gus 21st, 2018

Siguria në plazhe, rojat bregdetare shpëtojnë 2 turistë në Sarandë

TIRANË, 11 gusht/ATSH- Edison Caushi/ – Siguria në plazhin e Sarandës është në nivelet më të larta, pasi bashkia e këtij qyteti ka garantuar që në vijën bregdetare të saj të vendos njerëzit e duhur për t’ju ardhur në ndihmë pushuesve.

Bashkia e Sarandës i është përgjigjur interesimit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, duke theksuar se në këtë sezon turistik janë marrë të gjitha masat për të evituar episodet e pakëndshme për turistët dhe turizmin në vend, duke theksuar se në javën që lamë pas janë shpëtuar 2 persona nga roja bregdetare.

“Vrojtuesit funksionojnë më së miri. Ka pasur disa episode që plazhistë të huaj kanë rrezikuar mbytjen dhe  fal shërbimit që këta të fundit ofrojnë, janë shpëtuar.

Ka pasur vetëm 2 raste për mbytje gjatë kësaj jave, por fal edhe rregullave të cilat ne kemi vendosur në plazhe sikurse janë tabelat, pushuesit janë më të vëmendshëm”.

Duke u ndalur te përzgjedhja e trupës e cila shërben për mbrojtjen nga mbytja e pushuesve, bashkia e Sarandës sqaron se roja bregdetare është një trup e specializuar dhe e përzgjedhur me kujdes nga ana e tyre, duke shtuar se ky institucion ka ushtruar kontrolle ndaj plazheve private për plotësimin e tyre me vrojtues të kualifikuar.

“Roja bregdetare është një trup e përzgjedhur nga njerëzit më të mirë dhe ky obligim ka prekur edhe subjektet private të cilat janë të detyruara që të kenë vrojtuesit e plazheve të tyre.

Plazhet publike të Sarandës dhe Ksamilit janë tërësish të mbrojtura dhe kullat e vrojtimit janë funksionale”, bënë me dije bashkia Sarandë.

Përveç sigurisë në plazhe, bashkia e Sarandës i jep dhe një vëmendje të veçantë pastrimit të territorit të saj, duke filluar që nga rëra e plazheve deri te mbetjet më të vogla.

“Me pastrimin e plazheve në Sarandë merret firma e pastrimit dhe ndërmarrja e bashkisë, ku realizohet pastrimi në mëngjes herët dhe në orët e vona të natës. Në plazhet publike që ka në përgjegjësi bashkia çdo gjë është e pastër, duke filluar që nga rëra deri te mbetjet më të vogla, ndërsa hotelet kanë si përgjegjësi që të pastrojnë pjesën e tyre. Derdhja e ujërave të zeza në det nga subjektet tashmë i përket të kaluarës dhe ky lloj problemi në qytetin tonë është inekzistent. Nuk ka më subjekte private  të cilat derdhin ujërat e zeza në detin e Sarandës”, bënë me dije bashkia Sarandë.

Kategori