Sigurimi i banesave: Qeveria përfshin edhe përmbytjet në projektligjin e ri
Qeveria shqiptare ka bërë ndryshime të reja në projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave, duke shtuar mbulimin e dëmeve nga përmbytjet, përveç atyre nga tërmetet.
Projektligji i ri, i titulluar “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet dhe përmbytjet”, synon të mbulojë humbjet financiare të banorëve të siguruar, të shkaktuara nga dëmet në banesë për shkak të këtyre dy fatkeqësive natyrore.
Përfshirja e përmbytjeve zgjeron gamën e rreziqeve të mbuluara nga skema e detyrueshme. Megjithatë, pritet që ky zgjerim të shoqërohet edhe me një rritje të primës së sigurimit, krahasuar me modelin e mëparshëm që mbulonte vetëm tërmetet.
Edhe në variantin e përditësuar, projektligji parashikon ngritjen e një Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet dhe Përmbytjet. Ky fond do të administrojë skemën e detyrueshme dhe do të sigurojë jo vetëm banesat, por edhe hapësirat brenda tyre që përdoren si njësi, zyra apo për qëllime të ngjashme.
Fondi Kombëtar do të funksionojë si person juridik publik, i organizuar si shoqëri aksionare, në përputhje me legjislacionin në fuqi për tregtarët dhe shoqëritë tregtare.
Shuma maksimale e sigurimit do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, pas propozimit të ministrit përgjegjës për Financat.
Metodologjia për përcaktimin e primit të sigurimit, duke përfshirë termat, klasifikimin e banesave sipas rrezikut, do të bazohet në llogaritje aktuariale dhe modele specifike për rrezikun nga tërmetet dhe përmbytjet në Shqipëri. Këto modele do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, pas propozimit të ministrit të Financave dhe marrjes së opinionit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Këshilli i Ministrave do të vendosë gjithashtu kriteret konkurruese për përzgjedhjen e agjentëve publikë dhe privatë, si dhe të shoqërive të sigurimit për menaxhimin, shpërndarjen dhe shitjen e kontratave të sigurimit, duke përcaktuar komisionet dhe kushtet e bashkëpunimit.
Dëmshpërblimi do të paguhet brenda tre muajve nga momenti i plotësimit të të gjithë dokumentacionit të nevojshëm, në varësi të shkallës së dëmtimit dhe masës së tij.
Projektligji ka forcuar edhe mekanizmat e detyrimit për zbatimin e sigurimit. Personat që kërkojnë regjistrimin, ndryshimin e regjistrimit të banesës apo shërbime të tjera kadastrale, duhet të paraqesin paraprakisht një kontratë të vlefshme sigurimi nga tërmetet dhe përmbytjet, të lidhur me Fondin. Pa këtë kontratë, këto shërbime nuk do të ofrohen.
Personat që nuk lidhin kontratën e detyrueshme të sigurimit nuk do të kenë akses në shërbimet elektronike përmes portalit e-Albania, si dhe do të kenë kufizime në shërbimet nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Këto kufizime do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Ndërkohë, shoqëritë e sigurimit privat nuk do të lejohen të lidhin kontrata sigurimi vullnetare për tërmete apo përmbytje për banesa që nuk kanë lidhur më parë kontratë sigurimi të detyrueshëm me Fondin Kombëtar.
