VIDEO/ Incident i pazakontë në konferencë, Silvinjo kërkon falje, por në fund nuk e lë pa komentuar zyrtarin e FSHF: Më humbe stilolapsin!
Konferencat e trajnerit të Kombëtares, Silvinjo, shpesh ofrojnë momente të veçanta dhe gazmore. Edhe ajo e sotmja, në prag të ndeshjes kundër Polonisë, nuk bëri përjashtim.
Fillimisht, teksa Silvinjo u ul në sallën e konferencave dhe po përgatitej të fliste me median, ai u përpoq të rregullonte lartësinë e mikrofonit para tij. Megjithatë, trajneri pa dashje e dëmtoi atë dhe për disa momente mbeti i shtangur.
Ai kërkoi menjëherë falje me duart lart, ndërsa përgjegjësi i departamentit të komunikimit në FSHF, Fatjon Kodra, rregulloi shpejt mikrofonin në mënyrë që konferenca të zhvillohej normalisht.
Në fund, Silvinjo falënderoi në shqip dhe po bëhej gati të dilte nga salla, kur u kujtua për diçka tjetër dhe iu drejtua sërish Kodrës, këtë herë me një kritikë.
“Fatjon stilolapsin! Më ke humbur stilolapsin,” iu tha ai zyrtarit të FSHF, i cili u kthye për t’ia dhënë stilolapsin që ia kishte marrë pak çaste më parë trajnerit.
