Hën. Tet 22nd, 2018

SINGAPOR – Pompeo: Bota duhet të mbajë presionin mbi Korenë e Veriut

SINGAPOR, 4 gusht /ATSH-AFP/ – Shefi amerikan i diplomacisë, Mike Pompeo kërkoi sot që të mbahet presioni mbi Korenë e Veriut, duke stigmatizuar kryesisht Rusinë për shkelje të mundshme të sanksioneve ndërkombëtare, por garantoi se bota është e bashkuar për të nxitur denuklearizimin e Phenianit.

Sipas një raporti të ekspertëve të Kombeve të Bashkuara, “Koreja e Veriut nuk i ka ndërprerë programet e saj bërthamore dhe balistike dhe vazhdon të shkelë rezolutat e Këshillit të Sigurimit duke rritur masivisht transfertat e jashtligjshme në det të produkteve të naftës”.

Mike Pompeo insistoi gjatë një forumi të Shoqatës së Kombeve të Azisë së Juglindjes në Singapor, “mbi rëndësinë për të mbajtur presionin diplomatik dhe ekonomik mbi Korenë e Veriut, për të arritur një denuklearizim përfundimtar dhe krejtësisht të verifikueshëm në të cilin Koreja e Veriut është angazhuar”.

Gjatë një konference për shtyp, ai shtoi se “i ka kërkuar anëtarëve të ASEAN-it që të aplikojnë në mënyrë strikte të gjitha sanksionet, përfshirë këtu edhe ndërprerjen e plotë të transferimit të jashtligjshëm të naftës nëpërmjet anijeve me destinacion Korenë e Veriut”. /G.S/

Kategori