Siria shpall gjendje të jashtëzakonshme pas daljes së lumit Eufrat nga shtrati
Siria ka lëshuar një paralajmërim të martën lidhur me rritjen e niveleve të ujit në lumin Eufrat. Kjo situatë vjen pas përmbytjeve në pjesët veriore dhe lindore të vendit, të shkaktuara nga reshjet e fundit të shiut dhe një rritje e rrjedhës së ujit nga Turqia.
Ministria e Energjisë deklaroi se po monitoronte situatën në lumë për shkak të “një rritjeje të paparë të rrjedhës së ujit nga ana turke”. Rritja e niveleve të ujit u atribua reshjeve të dendura të shiut dhe hapjes së portave të përmbytjeve në lumin në anën turke.
Agjencia zyrtare e lajmeve Sana raportoi përmbytje në provincën lindore të Deir Ezzor, ku disa ura u bënë të pakalueshme. Toka bujqësore dhe shtëpi private u prekën nga përmbytjet. Përmbytje u raportuan gjithashtu edhe në rajonin fqinj të Rakas në veri.
Këto dy provinca, si dhe Aleppo (gjithashtu në veri), kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, sipas një deklarate qeveritare. Kapaciteti i ruajtjes së Digës së Eufratit, në veri të vendit, është pothuajse i ngopur, gjë që e bën të domosdoshme “lëshimin e sasive të mëdha të ujit”.
Të hënën, ministria publikoi fotografi që tregojnë hapjen e portave të përmbytjeve, të cilat thuhet se nuk ishin përdorur për 40 vjet. Në të njëjtën kohë, u bëri thirrje banorëve të jenë veçanërisht të kujdesshëm.
Mediat turke raportuan një “lëshim të kontrolluar të ujit” nga Diga Ataturk, ku niveli është rritur pas shirave të fundit. Portat e përmbytjeve u hapën për herë të parë në shtatë vjet, sipas këtyre burimeve. Diga Ataturk, një nga tre kryesoret e Turqisë, u ndërtua për të prodhuar energji elektrike dhe për të ujitur zonën përgjatë kufirit me Sirinë.
