Situata e përmbytjeve dhe dëborës: Përditësim nga të gjitha qarqet

LAJM I FUNDIT: Situatë e vështirë nga përmbytjet, zonat malore mbulohen nga dëbora

Gjatë 24 orëve të fundit, situata paraqitet përgjithësisht drejt stabilizimit, megjithëse në disa qarqe vijojnë problematikat e akumuluara nga prurjet e larta të lumenjve, rrëshqitjet e dherave dhe dëmtimet në infrastrukturë. Nivelet e shumicës së lumenjve janë në rënie, ndërsa hidrovorët në zonat më të prekura po punojnë me kapacitet të plotë. Forcat e emergjencave, Forcat e Armatosura, strukturat vendore dhe ekipet e ndërhyrjes së shpejtë mbeten në terren për normalizimin e situatës dhe mbajtjen nën kontroll të zonave me risk.

SITUATA SIPAS QARQEVE:

QARKU VLORË

  • Hidrovorët e bashkisë Vlorë janë në punë me kapacitet të plotë.
  • Niveli i lumit Vjosë në Novoselë vazhdon me trend ulje.
  • Gjatë ditës së djeshme, në ndihmë të situatës erdhën forcat e Njësisë së Komandës Mbështetëse.

Bashkia Sarandë

  • Situata është në monitorim në fshatin Çukë, në argjinaturën e lumit Bistricë.
  • Ditën e djeshme, në këtë zonë operuan 10 efektivë të FA, me mjete, në ndihmë të banorëve.
  • Forcat operacionale punuan për normalizimin e situatës në rrugët që lidhin disa fshatra në bashkitë Finiq, Konispol dhe Delvinë, ku ka pasur prezencë dherash.

QARKU FIER

  • Ekipet e emergjencave janë në ndihmë të banorëve në fshatrat Çerven dhe Ferras, ku janë 25 banesa me prani uji, brenda argjinaturës së lumit Vjosë.
  • Sot lumi Seman është tërhequr në kuota të sigurta, me rënie prej 70 cm.

QARKU KORÇË

  • Situata në njësitë administrative të prekura Bulgarec, Vithkuq, Drenovë, Mollaj është qetësuar. Uji është tërhequr dhe po vijon puna për normalizimin e plotë.
  • Po vijojnë punimet për mbylljen e çarjeve në argjinaturat e lumit Devoll dhe lumit Dunavec.
  • Në ndihmë kanë ardhur 20 forca nga FA.
  • Lumi Devoll ka ulur nivelin disa centimetra.
  • Fshati Sheqeras nuk rrezikohet për përmbytje të banesave, por ka prani uji në sipërfaqet bujqësore.
  • Vëmendja është përqendruar në infrastrukturën e fshatrave Moçan, Desmire, Osoje dhe Gjinikas.
  • Po ashtu po punohet në fshatrat Senisht dhe Dolanm, ku ka pasur rrëshqitje dherash.
  • Në Pustec situata paraqitet e qetë, ndërsa forcat zjarrfikëse po ndërhyjnë për largimin e ujit nga bodrumet e 4 banesave.
  • Po ashtu po ndërhyhet në bashkinë e Pogradecit, ku janë evidentuar rreth 50 raste dëmesh në banesa dhe në 4 ura.
  • Janë konstatuar problematika në Unazën e Qytetit dhe Hudenisht, ku po punohet për neutralizimin e situatës.
  • Puna vijon nga ekipet në Kolonjë, në fshatin Qinam dhe në fshatrat Mesickë dhe Taç Poshtme.

QARKU LEZHË

  • Në bashkinë Lezhë, vazhdon të jetë nën ujë një sipërfaqe rreth 220 ha. Hidrovorët po punojnë me kapacitet të plotë.
  • Tek argjinatura në Lagunën Vain, vijon puna për riparimin e digës së dëmtuar.
  • Nivelet e lumenjve Drin dhe Mat kanë pësuar rritje, por janë brenda kuotave normale.
  • Në bashkinë Kurbin, po vijojnë punimet në shtratin e lumit Drojë, edhe me mbështetje nga FA.
  • Në Mamurras, ka një sipërfaqe rreth 300 ha nën ujë.

Bashkia Mirditë

  • Problematike mbetet aksi rrugor Rrëshen – Bukmirë, ku ulja e bazamentit të rrugës vazhdon duke sjellë problematika në qarkullim, ndonëse është ndërhyrë në rehabilitimin e saj.
  • Po punohet në disa segmente rrugore dhe pranë disa banesave ku ka pasur rrëshqitje dherash.

QARKUN DIBËR

  • Po vazhdon puna për stabilizimin e situatës në aksin rrugor qyteti i Vjetër – qyteti i Ri, tek terminali.

QARKU BERAT

  • Në bashkinë Berat, nivelet e lumit Osum kanë shënuar rënie të theksuar. Lumi është brenda shtratit të vet dhe ujërat në tokat bujqësore në fshatrat e njësisë administrative Velabisht janë tërhequr në pjesën më të madhe.
  • Ndërkohë në bashkinë Dimal situata po vjen drejt përmirësimit.

QARKU GJIROKASTËR

  • Po punohet nga ekipet në terren, në bashkinë Dropull, ku ura që lidh aksin rrugor Kombëtar me fshatrat Glinë, Peshkëpi e Poshtme, Peshkëpi e Sipërme, Radat të bashkisë Dropull dhe fshatin Nepravishtë të bashkisë Libohovë, ka pësuar ulje si pasojë e reshjeve të shiut.
  • Është bërë e mundur stabilizimi i situatës në fshatin Dhëmbklan, ku dje pati shkarje të urës.
  • Në bashkinë Libohovë, tek vendi i quajtur “Shkëmbi Dallëndyshes” po punohet për riparimin e shkarjes së trupit të rrugës.
  • Po punohet edhe në aksin rrugor Suhë-Poliçan.

QARKU TIRANË

  • Është punuar në fshatin Shargë, në Vorë për largimin e ujit nga një banesë.

QARKU KUKËS

  • Forcat operacionale po punojnë për normalizimin e situatës në bashkinë Kukës, ku u evidentuan 2 raste të rrëshqitjes së tokës në fshatin Gjegjan dhe në fshatin Morinë.

Në qarqet Durrës, Shkodër dhe Elbasan, nuk paraqiten problematika për shkak të kushteve të motit. Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile janë në monitorim dhe kontakt të vazhdueshëm me strukturat e mbrojtjes civile dhe ekipet e emergjencave për t’u ardhur në ndihmë komuniteteve në zonat e prekura.

Scroll to Top