Ndryshon situata e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës
Ministria e Mbrojtjes raporton se strukturat e mbrojtjes civile, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe institucionet përgjegjëse, janë në terren dhe po ndjekin nga afër situatën në të gjithë vendin si pasojë e reshjeve të shiut gjatë 24 orëve të fundit.
Qarku Shkodër rezulton më i prekur nga reshjet me intensitet të lartë. Në një njoftim thuhet se që nga mëngjesi i sotëm, ekipet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) dhe Forcave të Armatosura (FA) kanë ndjekur në terren situatën në bashkinë Vau Dejës, ku aktualisht situata është drejt normalizimit. Niveli i ujit është ulur ndjeshëm dhe në disa banesa është tërhequr plotësisht.
Në zonat ku banesat rrezikoheshin nga prurjet e përroit, po ndërhyhet me ekskavatorë për devijimin e rrjedhës dhe ngritjen e një argjinature mbrojtëse.
Gjithashtu, po punohet në bashkinë Fushë Arrëz dhe në njësinë administrative Gur i Zi për pastrimin e inerteve në akset ku ka pasur rënie gurësh, për të garantuar qarkullimin normal.
Nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika në infrastrukturë apo banesa si pasojë e kushteve të motit.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura të Shqipërisë, strukturat e emergjencave civile të bashkive dhe institucioneve në varësi janë në gatishmëri dhe vijojnë monitorimin e situatës në mënyrë të vazhdueshme.
