Skandal Korrupsioni në Ukrainë: Dy Ministra Japin Dorëheqje

Ukraina përballet me luftë dhe skandale korrupsioni, dy ministra japin dorëheqje.

Ministrja e Energjisë dhe ministri i Drejtësisë në Ukrainë kanë dhënë dorëheqje të mërkurën, pas akuzave për përfshirje në një skandal të gjerë korrupsioni në sektorin e energjisë të vendit. Hetuesit dyshojnë se një aleat kyç i presidentit Volodymyr Zelensky e ka orkestruar një skemë ryshfeti prej 100 milionë dollarësh për të përvetësuar fonde. Ky skandal ka shkaktuar zemërim publik, sidomos në një kohë kur Ukraina po përballet me ndërprerje të mëdha të rrymës, si pasojë e sulmeve ruse.

Ukraina ka qenë prej kohësh e prekur nga korrupsioni, dhe lufta kundër tij shihet si një kusht i rëndësishëm për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Presidenti Zelensky kishte kërkuar më parë dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, German Galushchenko, i cili dyshohet se ka marrë “përfitime personale” nga skema, si dhe të ministres së Energjisë, Svitlana Grynchuk. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk është akuzuar zyrtarisht, dhe Grynchuk nuk është përmendur si përfituese e drejtpërdrejtë e skemës.

“Ministri i Drejtësisë dhe ministrja e Energjisë nuk mund të qëndrojnë më në detyrë,” kishte deklaruar Zelensky në një video të publikuar në rrjete sociale. Pak më vonë, të dy paraqitën letrat e dorëheqjes, njoftoi kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko.

Skandali ka nxitur reagime të forta mes qytetarëve ukrainas, të cilët po përballen me mungesa të shpeshta të ngrohjes dhe energjisë për shkak të bombardimeve ruse. Një qytetar, i cili nuk dëshiroi të jepte mbiemrin, u shpreh për AFP-në se situata është “neveritëse” dhe se “ata po na shkatërrojnë neve, reputacionin tonë dhe të ardhmen tonë.” Ai shprehu shqetësim se si ky skandal mund të ndikojë tek mbështetësit kryesorë të Kievit në BE.

Akuzat lidhen me marrjen e ryshfeteve nga kontrata që përfshijnë Energoatom, operatorin shtetëror të energjisë bërthamore dhe furnizuesin më të rëndësishëm të energjisë elektrike në vend. Grynchuk kishte zëvendësuar Galushchenkon në postin e ministres së Energjisë gjatë verës. Parlamenti i Ukrainës duhet t’i miratojë zyrtarisht dorëheqjet e tyre.

Partia opozitare e ish-presidentit Petro Poroshenko ka kërkuar dorëheqjen e Qeverisë. Këtë javë, autoritetet kundër korrupsionit kanë arrestuar disa persona në kuadër të operacionit.

Presidenti Zelensky, duke i urdhëruar ministrat të japin dorëheqjen, theksoi se është “plotësisht e papranueshme që ende ekzistojnë skema (korrupsioni) në sektorin e energjisë,” ndërsa ukrainasit vuajnë çdo ditë nga ndërprerjet e energjisë. Rusia ka goditur rrjetin energjetik të Ukrainës me sulme të vazhdueshme me dronë dhe raketa, të cilat Kievi i cilëson si cinike dhe me qëllim lënien e miliona ukrainasve në errësirë dhe të ftohtë gjatë dimrit.

Sipas hetuesve, skema e korrupsionit është orkestruar nga Timur Mindich, një ish-bashkëpunëtor biznesi i Zelenskyt. Mindich është bashkëpronar i kompanisë së prodhimit Kvartal 95, të cilën Zelensky e themeloi kur ishte aktor komik. Mindich u largua nga vendi pak para se të bëheshin publike akuzat.

Zelensky nuk ka komentuar për rolin e Mindich në këtë skemë, por kryeministrja Svyrydenko tha se po vendos sanksione personale ndaj tij dhe një tjetër biznesmeni të akuzuar, Oleksandr Tsukerman. Kvartal 95, kompania prodhuese e serialit televiziv “Shërbëtori i Popullit” të Zelenskyt, deklaroi se hetimet “nuk kanë lidhje me punën e studios”.

Ky skandal paraqet një sfidë të madhe për Zelenskyn, i cili është akuzuar për përqendrim të pushtetit dhe heshtjen e kritikëve pas pushtimit rus. Më herët këtë vit, pati një reagim të fortë nga publiku dhe nga Brukseli për përpjekjet e qeverisë për të kufizuar pavarësinë e dy institucioneve kryesore kundër korrupsionit, të cilat po hetojnë dhe ndjekin këtë rast.

Scroll to Top