Skandali korruptiv në Rumani nxjerr në pah një skemë mashtrimi me armë që synonte BE-në
Autoritetet rumune kanë arrestuar një ish-senator i cili dyshohet se ka tentuar të ofrojë një ryshfet prej 1 milion eurosh Ministrit të Mbrojtjes të shtetit, me qëllim që të lehtësonte një marrëveshje për shitjen e armëve, e cila mund të financohej në mënyrë mashtruese nga një program i Bashkimit Evropian.
Marrëveshja e dyshuar përfshinte blerjen e predhave me origjinë ruse nga Kazakistani, importimin e tyre në Rumani, ribrendimin si prodhim rumun dhe më pas shitjen e tyre në Ukrainë përmes një ndërmjetësi në Bullgari. Qëllimi ishte krijimi i një skeme përfitimi nga fondet e programit të BE-së për Riarmatosjen e Evropës, i cili synon të mbështesë prodhimin e armëve brenda bllokut.
Shërbimi Rumun i Radios Evropa e Lirë ka intervistuar dy persona kyç në këtë çështje. Njëri prej tyre ka deklaruar se është kontaktuar nga ish-senatori Marius Ovidiu Isaila, ndërsa tjetri nga biznesmeni bullgar Roman Ivanov Angelov.
Në fillim të tetorit, Angelov dyshohet se ka drejtuar një delegacion që ka kontaktuar kreun e Romtehnica, kompania shtetërore tregtare e armëve, duke kërkuar të shfrytëzojnë kontaktet e saj në Kazakistan.
Oferta “e dyshimtë”
Shefi i Romtehnica, Razvan Mincu, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë: “Ata më propozuan një marrëveshje. Ne do të merrnim municion nga Kazakistani dhe do t’ua rishisnim atyre.” Mincu ka shtuar se oferta i është dukur “e dyshimtë” dhe se ai i ka refuzuar propozimet.
Sipas një raporti të prokurorëve rumunë, Isaila i është afruar një ndërmjetësi me qëllim korruptimin e Ministrit të Mbrojtjes, Ionut Mosteanu, për të favorizuar marrëveshjen. Intervistohet nga REL, ndërmjetësi, politikani Octavian Berceanu, i cili është bërë sinjalizues, ka bërë 17 incizime sekrete gjatë takimeve me Isailan.
Berceanu ka shpjeguar: “Kjo ka të bëjë me një grup që dëshiron të sjellë municione ruse ose me origjinë ruse në Rumani, të cilat më pas mund të eksportohen në Bullgari e prej aty në Ukrainë. Të gjitha [të blera] me para të Bashkimit Evropian.” Ai ka shtuar: “Më ofruan 10 milionë euro për t’u bërë pjesë e këtij grupi. Kjo është metoda, ata u ofrojnë shuma të mëdha politikanëve për t’i rekrutuar.”
Deklaratat e Isailas dhe transkriptet e incizimeve të Berceanut, publikuar më 10 nëntor nga faqja rumune Gandul, sugjerojnë se ai ka punuar me të tjerë, duke iu referuar shpesh si “ne” dhe duke nënkuptuar shuma të mëdha parash dhe ndikim politik. Në një rast, ai citohet të ketë thënë: “Unë jam personi që e hap derën. Dhe unë e hap derën për ju: NATO, Ambasadë amerikane, Gjermani.”
Në një shkëmbim tjetër, ai i është drejtuar Berceanut: “Më thuaj sa të duhet dhe në mbrëmje… brenda 24 orësh, do t’i kesh të gjitha paratë.”
Isaila ka përshkruar gjithashtu si funksiononte skema: “Ne i blejmë [predhat] nga Kazakistani, i çmontojmë vetë, i sjellim të çmontuara këtu… i rimontojmë, i lyejmë, i sistemojmë dhe shteti rumun i shet ato.”
“Miliarderë brenda natës”
Sipas transkripteve, Isaila ka sugjeruar se një skemë e ngjashme ishte zbatuar tashmë në Shqipëri, ku të përfshirët “u bënë miliarderë brenda natës.” Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri dhe autoriteti kundër korrupsionit nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it.
Ministri rumun i Mbrojtjes, Mosteanu, ka publikuar në rrjetet sociale: “Një person u përpoq të blinte ndikimin tim me një milion euro për të lehtësuar një kontratë me Romtehnica. Refuzova në mënyrë kategorike çdo takim me atë person.”
Ndërkohë, Isaila është dërguar në paraburgim për 30 ditë. Vendndodhja e biznesmenit bullgar, Roman Angelov, nuk dihet. Angelov është hisedar i vetëm në kompaninë Sofia Arm Tech, e cila vitin e kaluar mori një licencë ndërkombëtare për tregti armësh. Para kësaj, kompania nuk kishte regjistruar asnjë aktivitet në dokumentet e dorëzuara në regjistrin tregtar të Bullgarisë pas themelimit të saj në vitin 2020. Regjistrat tregojnë se kompania ka tetë punonjës. As Angelov dhe as kompania nuk iu përgjigjën pyetjeve të Shërbimit bullgar të REL-it.
