Korrupsioni/ Skandali i NATO-s ngre pikëpyetje për kontratat e armëve në Tiranë
Një skandal ka shpërthyer në Bruksel, duke tronditur një nga institucionet më të sigurta të Perëndimit, Agjencinë e Prokurimeve të NATO-s. Pasojat e hetimit bien mbi gjigantin izraelit të industrisë së armëve, i cili së fundmi është bërë edhe partneri më i ri në biznes i qeverisë shqiptare. Edhe një herë tjetër, krijohet përshtypja se Shqipëria hyn në skenë pikërisht në momentin kur korrupsioni del në pah.
Skandali u bë publik kur prokuroria Federale e Belgjikës lëshoi një urdhër ndërkombëtar arresti për Eliau Eluasvilin, një konsulent italian i akuzuar për krijimin e një rrjeti korrupsioni për manipulimin e tenderave të agjencisë së NATO-s. Hetuesit deklarojnë se Eluasvili ka përdorur një seri kompanish të shpërndara në Lituani, Greqi, SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa një grup ish-zyrtarësh i hapnin rrugë brenda strukturës më të ndjeshme të Aleancës, programit të municioneve. Pikërisht në këtë zonë, Elbit kishte kontrata për predha 155 milimetra, bomba, fishekë për avionë, kundërmasa ajrore dhe pajisje me vlerë miliona euro.
Megjithatë, në korrik, NATO pezulloi pesëmbëdhjetë kontrata, trembëdhjetë prej të cilave lidhen drejtpërdrejt me Elbit Systems dhe filialin e saj Orion. NATO theksoi se “ka dyshime serioze për parregullsi në dhënien e kontratave”, duke sinjalizuar zbulimin e aferave korruptive brenda Aleancës. Pra, ndërsa NATO dyshon për ryshfet dhe shpërdorim detyre në nivele të larta, Shqipëria sapo ka lidhur kontrata disa qindra milionë euro me të njëjtin partner.
Procesi i lidhjes së kontratave në Shqipëri nuk ka qenë transparent, nuk është debatuar në Kuvend dhe as është analizuar nga ekspertët. Ka mjaftuar një marrëveshje e heshtur, e arkivuar me firmën e Ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu dhe më pas e prezantuar si një “memorandum miqësor”. Kohët e fundit, media izraelite Haaretz raportoi se Elbit ka siguruar nga qeveria shqiptare një kontratë shumëmilionëshe, e cila përfshin furnizimin me artileri, mortaja, dronë dhe ngritjen e një qendre aviacioni në Vlorë. Shifra e kontratës varion nga 400 deri në 600 milionë euro, ndërsa disa burime e çojnë atë drejt shumës një miliardë euro.
Rrethanat lënë vend për dyshime: qeveria shqiptare ka hyrë në një nga marrëveshjet më të mëdha të mbrojtjes që ka nënshkruar ndonjëherë, dhe e ka bërë këtë me një kompani që sapo është pezulluar nga pjesëmarrja në tenderat e furnizimit të NATO-s.
Në qendër të këtij zhvillimi qëndron emri i Ron Yeffet, biznesmen izraelit, i njohur si një nga miqtë e ngushtë të kryeministrit. Yeffet është personi që ka hyrë fuqishëm në industrinë e re të armëve të Shqipërisë përmes ortakërisë me KAYO, kompaninë shtetërore të krijuar nga qeveria dhe drejtuar nga Ardi Veliu, duke përfshirë automjete të blinduara, armë të kalibrit të vogël, dronë dhe prodhimin e municioneve.
Ndërkohë, pagesat kanë filluar. Vetëm këtë vit janë bërë pagesa prej mbi 10 milionë euro për një nga kompanitë e ortakërisë KAYO, Timak Defence. Priten pagesa të tjera, ndërsa qeveria po përgatit një skemë financimi me garanci sovrane për të mbuluar faturën e Elbit.
Ndërsa askush nuk pret më që qeveria shqiptare të jetë më transparente se NATO, fakti që kryeministri mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës me një kompani që, pak muaj më vonë, pezullohet për shkak të një hetimi ndërkombëtar për korrupsion, duket sikur historia po përsërit veten. Ky model i “miqësisë” me persona të huaj, që rezultojnë të përfshirë në skandale korrupsioni apo hetime ndërkombëtare, është vënë re edhe më parë në lidhje me kryeministrin Rama, siç ishte rasti me takimet me Charles McGonigal, para se FBI ta shpallte fajtor për tradhti, apo miqësia me Federica Mogherinin, para se Prokuroria Evropiane ta niste nën akuzë për korrupsion.
