Skandali Epstein: Princesha Norvegjeze kritikohet nga kryeministri

Norvegji: Skandali Epstein arrin në oborrin mbretëror, kryeministri kritikon princeshën për kontakte me pedofilin e dënuar

Në dosjet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, mes mijëra emaileve, mediat kanë nxjerrë në dritë një komunikim mes pedofilit të dënuar Jeffrey Epstein dhe princeshës norvegjeze Mette-Marit.

Kryeministri norvegjez, Jonas Gaard Store, deklaroi se princesha Mette-Marit tregoi “gjykim të dobët” duke mbajtur kontakte të gjata me abuzuesin seksual të dënuar, Jeffrey Epstein.

Korrespondenca e Mette-Marit me Epstein është pjesë e “paketës” së re të dokumenteve të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë javën e kaluar. Princesha Mette-Marit u kritikua ashpër gjatë fundjavës pasi emri i saj u shfaq qindra herë në komunikimet e Epstein. Dokumentet përfshijnë email-e nga viti 2011 deri në vitin 2014, të cilat tregojnë një ton intimiteti, si dhe faktin se princesha kaloi katër ditë në rezidencën e Epstein në Palm Beach në janar 2013.

Ajo kërkoi falje të shtunën për marrëdhënien e saj me Epstein, duke i përshkruar kontaktet me të si “të turpshme”, sipas një deklarate të lëshuar nga pallati mbretëror norvegjez.

“Unë tregova gjykim të dobët dhe më vjen keq që kam pasur kontakt me Epsteinin,” tha Mette-Marit. “Jeffrey Epstein është përgjegjës për veprimet e tij. Unë duhet të marr përgjegjësinë për faktin se nuk e hetova më me kujdes të kaluarën e Epstein dhe nuk e kuptova më herët se çfarë lloj personi ishte ai. Më vjen shumë keq për këtë dhe është një përgjegjësi që duhet ta marr,” shtoi ajo.

Ajo shprehu gjithashtu “ngushëllime dhe solidaritet të thellë me viktimat”.

Disa nga dosjet e korrespondencës së Epstein kanë tërhequr vëmendjen. Në një nga mesazhet, Mette-Marit i referohet Epstein si “shumë i dashur”. Në një tjetër, pasi Epstein shprehet se është “në kërkim të grave” në Paris, ajo përmend se “Parisi është i mirë për kurorëshkelje” dhe shton se “vendet skandinave kanë materiale më të mira për gratë”. Në një email tjetër, Mette-Marit pyet nëse është e përshtatshme që një nënë t’i sugjerojë djalit të saj 15-vjeçar një letër-muri për dhomën ku shfaqen dy gra të zhveshura që mbajnë një dërrasë.

Këto zbulime vijnë në një kohë të ndjeshme për familjen mbretërore norvegjeze. Djali 29-vjeçar i Mette-Marit, Marius Borg Højby – i cili nuk mban një titull mbretëror – do të dalë në gjyq në Oslo të martën, i akuzuar për kryerjen e 38 veprave penale. Ai akuzohet, ndër të tjera, për përdhunimin e katër grave dhe gjithashtu përballet me akuza të lidhura me drogën. Ai mohon akuzat më të rënda, por rrezikon të përballet me deri në dhjetë vjet burg nëse dënohet.

Motra e Mette-Marit, Princesha Märtha Louise, bëri bujë në vitin 2024 pasi u martua me një shaman amerikan të vetëshpallur, i cili, ndër të tjera, pretendonte se kishte parashikuar sulmet e 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara. Historia e tyre e pazakontë e dashurisë është subjekt i një dokumentari në Netflix të quajtur “Rebel Royals”.

Scroll to Top