Ngritën skemë mashtruese me TVSH, shpallen fajtorë 6 shtetas dhe 5 kompani
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka shpallur fajtorë gjashtë persona dhe pesë kompani për krijimin e një skeme mashtruese me qëllim përfitimin e rimbursimit të TVSH-së. Mes të shpallurve fajtorë janë edhe dy shtetas italianë, së bashku me kompanitë e tyre.
Hetimet e Prokurorisë kanë zbuluar se të pandehurit kanë ngritur kontrata fiktive konsulence juridike për të shpërndarë paratë dhe për të shmangur detyrimet tatimore. Në këtë skemë mashtruese kanë qenë të përfshirë shtetasit Ilir Qafa dhe Elton Beqiraj, bashkë me italianët Andrea Emanuele di Dio, Salvatore Castorina dhe Salvatore Cascino. Organizatori kryesor i skemës rezulton të jetë Andrea Emanuele di Dio.
Kontabilisti Zaho Kuka është shpallur fajtor për trajtim kontabël të gabuar.
Njoftimi i Prokurorisë:
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, u shpallën fajtorë shtetasit:
- I.Q., E.B., A.D., S.C., S.C., Z.K.
Si dhe shoqëritë:
- ‘Sidec Alenergy’ shpk
- ‘Primis’
- ‘Gainsbourg’ shpk
- ‘Al Nair Trading’ shpk
- ‘CS International Consulting’ shpk
Për veprat penale:
- ‘Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar’ e kryer në bashkëpunim
- ‘Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëe’
- ‘Mospagimi i taksave dhe tatimeve’
- ‘Fshehja e të ardhurave’
Parashikuar nga nenet 144/a dhe 25, 190/2, 181 dhe 180/a të Kodit Penal.
Nga hetimet për procedimin penal nr.252 të vitit 2021, Prokuroria ka provuar se shtetasit I.Q. dhe E.B., në bashkëpunim me shtetasit italianë A.D., S.C. dhe S.C., kanë ngritur një skemë mashtruese për përfitimin e rimbursimit të TVSH-së, duke përdorur kontrata fiktive të konsulencës juridike. Këta persona dhe shoqëritë e tyre krijuan një skemë të mirëorganizuar të qarkullimit të parave përmes shërbimeve fiktive, me synim shpërndarjen e shumave monetare, shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitimin e padrejtë të TVSH-së, në kundërshtim me ligjet shqiptare dhe ndërkombëtare.
Të pandehurit I. Q., E.B., S. C. dhe S.C. kanë vepruar si ndihmës të të pandehurit A.D., i cili rezulton të jetë organizatori, krijuesi dhe përfituesi kryesor nga kjo skemë. Ata kanë pranuar të lëshojnë në mënyrë fiktive fatura tatimore për shërbime konsulence në favor të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të shoqërisë “Sidec” të pandehurit A. D., duke qenë në dijeni se shoqëritë e tyre dhe ajo e të pandehurit u krijuan në funksion të ngritjes dhe vazhdimit të skemës mashtruese.
Ndërkohë, i pandehuri Z. K., me detyrë kontabilist, duke qenë në dijeni të plotë të situatës financiare, ka bërë një trajtim kontabël plotësisht të gabuar.
Vendimet e gjykatës, me kërkesë të prokurorisë, kanë qenë si më poshtë:
- I.Q.: Fajtor për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, e kryer në bashkëpunim (neni 144/a dhe 25 të Kodit Penal). Dënim: 3 vjet burgim.
- E.B.: Fajtor për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, e kryer në bashkëpunim (neni 144/a dhe 25 i Kodit Penal) dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” (neni 181 i Kodit Penal). Dënim: 3 vjet burgim.
- A.D.: Fajtor për veprën penale “Fshehja e të ardhurave” (neni 180/3 i Kodit Penal) dhe “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, e kryer në bashkëpunim. Dënim: 4 vjet burgim.
- S.C.: Fajtor për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” (neni 181 i Kodit Penal). Dënim: 3 vjet burgim.
- S.C.: Fajtor për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” (neni 181 i Kodit Penal). Dënim: 3 vjet burgim.
- Z.K.: Fajtor për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” (neni 300 i Kodit Penal). Dënim: 180 orë punë në interes publik.
Deklarimi fajtor i personave juridikë:
- Shoqëria “Sidec Albenergy” sh.p.k.: Fajtor për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” e kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave”. Dënim: Gjobë 1.500.000 lekë.
- Shoqëria “Primis” sh.p.k.: Fajtor për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” e kryer në bashkëpunim. Dënim: Gjobë 1.000.000 lekë.
- Shoqëria “Gainsbourg” sh.p.k.: Fajtor për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” e kryer në bashkëpunim dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”. Dënim: Gjobë 1.200.000 lekë.
- Shoqëria “Al Nair Trading” sh.p.k.: Fajtor për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” e kryer në bashkëpunim dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”. Dënim: Gjobë 1.200.000 lekë.
- Shoqëria “CS International Consulting”: Fajtor për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” e kryer në bashkëpunim dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”. Dënim: Gjobë 1.200.000 lekë.
