Sllovenia kufizon naftën: 50 litra/ditë për qytetarët

Sllovenia Kufizon Furnizimin me Naftë për Qytetarët: Maksimumi 50 Litra në Ditë

Ndërkohë që çmimet e karburanteve vazhdojnë të jenë një barrë e rëndë për xhepat e qytetarëve në rajon, Sllovenia ka ndërmarrë masa drastike për të përballuar mungesat e naftës.

Qeveria ka vendosur kufizime të menjëhershme në pikat e karburantit:

  • Çdo qytetar mund të furnizohet me maksimumi 50 litra naftë në ditë.
  • Bizneset mund të furnizohen me maksimumi 200 litra naftë në ditë.

Këto masa do të jenë në fuqi deri në një njoftim të dytë. Situata është vlerësuar si serioze, aq sa autoritetet kanë angazhuar edhe ushtrinë për të ndihmuar në shpërndarjen e karburantit dhe për të mbështetur transportin dhe furnizimin në mbarë vendin.

Ndërkohë, qeveria u ka kërkuar kompanive të karburanteve të forcojnë koordinimin për të përshpejtuar furnizimin dhe për të shmangur boshllëqet në treg. Operatorët janë detyruar të raportojnë vazhdimisht gjendjen në pikat e shitjes, ndërsa nuk përjashtohen masa të tjera në ditët në vijim.

Kryeministri Robert Golob ka paralajmëruar se po shqyrtohet edhe mundësia e kufizimit të shitjes së karburantit për shtetasit e huaj. Mungesat janë ndjerë më fort te kompania Petrol, e cila është vënë nën kritika nga qeveria, ndërsa vetë kompania deklaron se po punon për të garantuar një furnizim të qëndrueshëm.

Scroll to Top