Sllovenët votojnë sot për eutanazinë, mbahet referendum për vdekjen e asistuar
Sllovenët po marrin pjesë sot në një referendum që do të vendosë nëse një ligj që legalizon vdekjen e asistuar, e njohur ndryshe si eutanazi, do të hyjë në fuqi apo do të pezullohet. Ky votim vjen pas një fushate të nisur nga kundërshtarët e legjislacionit.
Disa vende europiane, si Austria, Belgjika, Holanda dhe Zvicra, tashmë lejojnë që personat në fazë terminale të marrin ndihmë mjekësore për t’i dhënë fund jetës së tyre.
Parlamenti i Sllovenisë miratoi një ligj për vdekjen e asistuar në korrik. Ky ligj u mbështet fillimisht në një referendum të zhvilluar në vitin 2024. Megjithatë, një votim i ri u thirr pasi një grup civil, me mbështetjen e Kishës Katolike dhe opozitës konservatore parlamentare, arriti të mbledhë 46,000 firma, duke tejkaluar kështu kërkesën prej 40,000 nënshkrimesh për një rivotim.
Ligji do të hyjë në fuqi nëse shumica e pjesëmarrësve në referendum, të cilët përfaqësojnë të paktën 20% të 1.7 milion votuesve të kualifikuar, nuk e refuzojnë atë.
Disa votues shprehën mbështetjen e tyre për procedurën menjëherë pas hedhjes së votës:
- “Mendoj se është e drejtë që të gjithë të vendosin vetë nëse do t’i japin fund jetës apo jo, veçanërisht nëse ka dhimbje të padurueshme ose sëmundje të pashërueshme. Mendoj se është e drejtë që ata të vendosin në këtë drejtim.”
Ndërkohë, një votues tjetër u shpreh se kishte votuar kundër eutanazisë.
Sipas ligjit të kontestuar, i cili mund të hyjë në fuqi këtë vit, pacientët me sëmundje terminale do të kenë të drejtën e ndihmës për të vdekur nëse vuajtjet e tyre janë të padurueshme dhe të gjitha opsionet e trajtimit janë shteruar. Ligji gjithashtu lejon vdekjen e asistuar nëse trajtimi nuk ofron një perspektivë të arsyeshme për shërim ose përmirësim të gjendjes së pacientit.
Kryeministri Robert Golob u ka bërë thirrje qytetarëve të mbështesin ligjin, i cili ka qenë mjaft i debatuar.
Kisha Katolike ka deklaruar se lejimi i vdekjes së asistuar “bie ndesh me themelet e Ungjillit, ligjin natyror dhe dinjitetin njerëzor”.
