Sokol Sanxhaktari kërkon të vuajë dënimin e mbetur në shtëpi
Teksa sot në ambientet e Gjykatës së Posaçme, Henrik Hoxhaj ka folur para gjyqtarëve për një plan kriminal të hartuar me Nuredin Dumanin në vitin 2020, për të vrarë Sokol Sanxhaktarin kundrejt shumës prej 200 mijë eurosh, ky i fundit, nga burgu i Reçit ku vuan dënimin, ka bërë një kërkesë pranë gjykatës së Shkodrës për të dalë nga qelia.
Sokol Sanxhaktari, përmes një kërkese të depozituar më 25 nëntor 2025 pranë sekretarisë së Gjykatës së Shkodrës, ka kërkuar që pjesën e mbetur të dënimit ta vuajë në ambientet e tij banesore, në vend që të qëndrojë në burg.
Gazetari Elton Qyno raporton se kërkesa e Sanxhaktarit është marrë në shqyrtim nga gjyqtari Eni Naqellari. Në kërkesë specifikohet se:
- “…ndërprerja e vuajtjes së dënimit në ambientet e burgut të dhënë bazuar në vendimin gjyqësor penal nr.175 datë 16 Mars 2022 të Gjykatës së Rrethit Elbasan, i ndryshuar nga vendimi gjyqësor penal nr.253 datë 28 shtator 2022 i Gjykatës së Apelit Durrës, duke u zëvendësuar me vuajtjen e dënimit penal alternativ “Qëndrim në shtëpi” për pjesën e mbetur të dënimit…”
Sokol Sanxhaktari është dënuar me 15 vite burgim për vrasjen e shokut të tij, Florian Lamçe, i njohur gjithashtu me nofkën “Shkodrani”. Ai pretendon se ka kryer në burg më shumë se tre të katërtat e dënimit të dhënë nga gjykata dhe kërkon që pjesën e mbetur ta vuajë në shtëpi.
Më parë, në muajin Mars 2025, gjykata e Shkodrës i kishte pranuar Sanxhaktarit një kërkesë për uljen e dënimit me 90 ditë burgim. Megjithatë, disa muaj më vonë, një kërkesë tjetër për lirimin me kusht nga qelia i ishte rrëzuar nga gjykata.
Që prej nëntorit 2025, në gjykatën e Shkodrës po zhvillohet një proces gjyqësor lidhur me kërkesën për ndërprerjen e vuajtjes së dënimit në burg dhe vazhdimin e tij në ambientet e shtëpisë.
Sokol Sanxhaktari është dhëndër i ish-kryetarit të bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili ka ndërruar jetë disa vite më parë. Më 30 korrik 2020, Sanxhaktari, së bashku me Adriano Hajdarin nga Elbasani, ekzekutuan në Elbasan, me sende të forta, shokun e tyre Florian Lamçe. Sipas të dhënave të policisë, në atë kohë viktima ishte konfliktuar me Adriano Hajdarin dhe Sokol Sanxhaktarin, teksa kishin konsumuar alkool. Sanxhaktari dhe Hajdari e plagosën për vdekje 40-vjeçarin duke e goditur me shishe dhe mjete të forta.
Viktima, Florian Lamçe, i njohur edhe me nofkën “Flor Qorri”, më parë ishte dënuar me 3 vite burg për pengim të drejtësisë dhe ishte hetuar për dy plagosje. Ai ishte vëllai i Olti Lamçes, i cili është dënuar me 24 vite burg për vrasjen e Almir Canit, pronar i një diskoje, ngjarje e vitit 2012.
