Macron dhe Merz zotohen për pavarësinë digjitale të Evropës: “Refuzojmë të jemi vasalë!”
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz theksuan në samitin e Berlinit rëndësinë jetike të sovranitetit digjital të Evropës, si dhe nevojën urgjente që “kontinenti i vjetër” të çlirohet nga varësia digjitale ndaj SHBA-së dhe Kinës.
“Ndryshimet tektonike që po përjetojmë aktualisht në botë, në qendrat politike dhe ekonomike të fuqisë, kërkojnë veprim të menjëhershëm në fushën digjitale,” deklaroi Merz. Ai i bëri thirrje Evropës të veprojë me vendosmëri për të mos ia lënë në të ardhmen fushën gjithnjë e më vendimtare dixhitale Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
“E ardhmja do të vendoset kryesisht në hapësirën digjitale, dhe dy superfuqitë digjitale, Shtetet e Bashkuara dhe Kina, garojnë për primatin teknologjik. Evropa nuk duhet t’ua lërë atyre këtë fushë,” theksoi ai.
“Kjo nuk do të thotë se mbështesim izolimin dhe proteksionizmin. Ne po përjetojmë një varësi nga këto dy vende, dhe varësi të tilla përdoren si levë presioni në politikën e fuqisë,” shtoi Merz. Ai gjithashtu nënvizoi nevojën që Evropa të jetë në gjendje të mbrohet vetë ndaj sulmeve kibernetike dhe fushatave të dezinformimit.
Nga ana e tij, Emmanuel Macron e cilësoi si prioritet kryesor “preferencën evropiane”, sidomos në tenderët publikë, për të mundësuar zhvillimin e “kampionëve” evropianë të teknologjisë. Macron theksoi se Evropa nuk dëshiron të jetë vasale në këtë sektor.
“Kinezët i japin kontrata ekskluzive sa më shpesh të jetë e mundur, dhe amerikanët kanë një preferencë shumë të fortë për produktet amerikane. Le të jemi të qartë: Evropa nuk dëshiron të jetë thjesht klient i korporatave të mëdha apo i zgjidhjeve të shkallës së gjerë që ofrohen qoftë nga SHBA-ja, qoftë nga Kina. Ky qëndrim është thjesht një refuzim për t’u bërë vasalë,” deklaroi Macron.
