SPAK arrest shtëpie për drejtoreshën e AKSHI, hetime për tenderat

SPAK vendos arrest shtëpie për Mirlindën Karçanaj, akuzohet Ermal Beqiri

SPAK ka vendosur masën e arrestit shtëpie për drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj. Karçanaj u paraqit disa ditë më parë në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të hetimeve për dyshime mbi abuzime me tenderat e zhvilluar nga institucioni që ajo drejton.

Më 3 dhjetor, Karçanaj qëndroi më shumë se tre orë në ambientet e SPAK. Ajo doli pa dhënë asnjë koment për mediat dhe duke shmangur pyetjet e gazetarëve.

SPAK po heton 12 procedura tenderuese, me vlera të larta, që dyshohet se janë paracaktuar. Këto procedura lidhen kryesisht me mirëmbajtjen e serverave të institucioneve të rëndësishme shtetërore.

Hetimet kanë zbuluar se kriteret e tenderave dyshohet se janë diktuar nga kompanitë pjesëmarrëse, duke krijuar mundësi për fitime të konsiderueshme.

Një nga biznesmenët nën hetim është Ermal Beqiri, pronar i kompanisë “Soft & Solution”, ndaj të cilit SPAK ka caktuar masën e arrestit me burg. Sipas SPAK, dyshohet se Beqiri ka përfituar shuma të konsiderueshme nga këto procedura.

Ditët e fundit, hetuesit kanë marrë në pyetje rreth 25 zyrtarë të AKSHI-t, kryesisht anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave.

Scroll to Top