Kokainë nga Amerika Latine, SPAK çon për gjykim 10 persona
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar këtë të martë se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, procedimin penal 141/1 të vitit 2023. Ky procedim është ndaj një grupi personash të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, prodhim dhe shitje narkotikësh, si dhe krijimin dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
Sipas një njoftimi të SPAK, në kuadër të këtij procedimi janë marrë të pandehur gjithsej 11 persona, shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ata akuzohen se kanë vepruar si një rrjet kriminal i mirëorganizuar me shtrirje ndërkombëtare, duke bashkëpunuar me organizata kriminale në Amerikën Latine për importimin e kokainës drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian.
Të pandehurit dhe akuzat e tyre janë:
- A. Z., A. Ç. (alias G.), I. A., J. R. Z. V., dhe G. S. akuzohen për veprat penale: “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e bashkëpunimit brenda grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a/1 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
- K. B., H. L. N., S. A. M. S. dhe E. S. akuzohen për veprat penale: “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e bashkëpunimit brenda grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a/1 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
- A. Ç. (alias G.) akuzohet për veprat penale: “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, kryer në formën e bashkëpunimit brenda grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/1 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, ndërmjet datave 7.2.2024-8.2.2024, në ambientet e banesës së përdorur nga i pandehuri B. H. si dhe në lokalin Bar “Tahiti”, në pronësi të B. H., me vendndodhje në fshatin Manzë, Durrës. Ai akuzohet gjithashtu për “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
- K. B., H. L. N. dhe B. H. akuzohen për veprat penale: “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, kryer në formën e bashkëpunimit brenda grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/1 dhe 28 pika 4, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, ndërmjet datave 7.2.2024-8.2.2024, në ambientet e banesës së përdorur nga i hetuari B. H., si dhe të lokalit Bar “Tahiti”, në pronësi të B. H., me vendndodhje në fshatin Manzë, Durrës. Ata akuzohen gjithashtu për “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
- G. S. akuzohet për veprën penale: “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje të armëve të ftohta”, parashikuar nga neni 279 paragrafi 2, i Kodit Penal.
Kokainë mes lëkurës së kafshëve
Sipas hetimeve, është provuar se të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë përgatitur kushtet dhe infrastrukturën e nevojshme për importimin nga Republika Domenikane të dy ngarkesave me “lëkurë gjedësh”, brenda të cilave u gjetën të fshehura 90 kg kokainë me vlerë tregu 3.6 milionë euro. Ngarkesat kanë mbërritur në Portin e Durrësit në muajt korrik dhe nëntor 2024 dhe janë magjuar në disa ambiente në zonën e Mulletit, Tiranë.
Hetimet kanë konkluduar se në këtë aktivitet të paligjshëm kriminal janë përfshirë edhe persona të tjerë që kanë marrë pjesë në këto episode. Ky hetim intensiv është drejtuar nga Prokuroria e Posaçme dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të cilët kanë përdorur një sërë teknikash speciale hetimore.
Bashkëpunimi i ngushtë me agjencitë ligjzbatuese vendase dhe të huaja ka qenë thelbësor për avancimin e këtij operacioni të rëndësishëm kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.
Përmes vendimit penal nr. 39, datë 25.6.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të pandehurit janë deklaruar fajtorë dhe dënuar nga ana e Gjykatës, sipas akuzave respektive. Ky vendim është lënë në fuqi me vendimin Nr. 58, datë 30.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Ndërkohë, gjykimi ndaj një shtetasi kolumbian vijon ende.
