SPAK Dërgon Për Gjykim Kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli
SPAK ka nisur procesin gjyqësor ndaj Kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i akuzuar për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje.
Prokuroria e Posaçme ka njoftuar se, bazuar në përgjime telefonike, vëzhgime dhe veprime të tjera hetimore, është konkluduar se Kristian Shkreli, në rolin e tij si Kryetar i Bashkisë së Vaut të Dejës, është përfshirë në aktivitete të paligjshme gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025 për Kuvendin e Shqipërisë.
Gjatë fushatës elektorale, Shkreli dyshohet se u ka ofruar përfitime materiale banorëve të fshatit Stajkë, në Bashkinë Vau Dejës, në këmbim të votave për Partinë Socialdemokrate të Shqipërisë.
Hetimet e SPAK kanë nxjerrë në pah aktivitetin e Shkrelit në fushatën elektorale në mbështetje të PSD-së. Ai ka shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatit Stajkë për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike, një investim i realizuar gjatë periudhës së fushatës, duke u kërkuar banorëve të kësaj zone të votonin për subjektin politik të preferuar prej tij.
