SPAK dërgon për gjykim Arben Ahmetajn, biznesmenët Mërtiri e Zoto dhe 10 të pandehur të tjerë.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati, së bashku me 10 persona të tjerë, lidhur me çështjen e inceneratorëve.
Për gjykim janë dërguar, krahas Ahmetajt, edhe biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, si dhe Albina Mançka, Erjola Hoxha, Andi Boni, Elda Dinaj, Gerian Kuka, Helidon Begaj, Sonila Goxhaj dhe Sokol Meqemeja.
Njoftimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022, në ngarkim të 11 të pandehurve:
- Arben Ahmetaj
- Albina Mançka
- Erjola Hoxha
- Mirel Mërtiri
- Klodian Zoto
- Andi Boni
- Elda Dinaj
- Gerian Kuka
- Helidon Begaj
- Sonila Goxhaj
- Sokol Meqemeja
Akuzat për Arben Ahmetajn:
I pandehuri Arben Ahmetaj akuzohet për veprat penale të “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë apo të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal (9 herë), si dhe për veprën penale të “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i dytë dhe 25 i Kodit Penal (15 herë), të gjitha në rrethanat rënduese të parashikuara nga neni 50, gërma “h” e Kodit Penal (më shumë se një herë).
Nga hetimet është vërtetuar se:
- Ka përfituar nga të pandehurit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përmes pagesave të kryera nga shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k., bazuar në fatura për shërbime apo mallra lidhur me investimet për transformimin e një apartamenti të tij dhe bashkëpunëtores Albina Mançka në AirBnb, në shumën prej 2,007,373 lekë në vitet 2019-2020.
- Ka përfituar nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet Andi Boni dhe Helidon Begaj, shumën prej 170,480 euro, si rezultat i një shitjeje fiktive.
- Ka përfituar nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përmes shtetasit Besmir Prifti dhe të pandehurve Sonila Goxhaj e Sokol Meqemeja, shumën prej 270,000 euro, nga një shitje fiktive.
- Ka përfituar nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përmes Gerian Kuka dhe Erjola Hoxha, vilën e ndodhur në Hamallaj, e vlerësuar në 230,000 euro.
- Ka përfituar nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri shuma monetare nga shpenzimet për udhëtimet e tij dhe familjarëve apo miqve, në një vlerë totale prej 31,442 lekë, për udhëtime të kryera gjatë viteve 2013-2017.
Gjithashtu, është vërtetuar se:
- Ka fshehur burimin dhe ka bërë deklarim të rremë lidhur me sasinë e parave të investuara prej tij dhe bashkëshortes së tij në atë kohë, shtetases Albina Mançka, në pallatin e ndërtuar nga shoqëria “Lani” sh.p.k. Ky deklarim i rremë është kryer në deklaratat e dorëzuara më datë 10.2022 (në bashkëpunim me Albina Mançkën) dhe 23.03.2023.
- Ka fshehur shumën e shpenzuar për investimin në apartamentin e shndërruar në AirBnb, si dhe burimin e tyre, në vlerë totale 7,173,600 lekë, të kryera gjatë viteve 2019-2020. Pjesa prej 2,007,373 lekë vërtetohet se ka ardhur nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Ky deklarim i rremë është kryer në bashkëpunim me Albina Mançkën.
- Ka kryer deklarim të rremë, duke paraqitur sikur ka shitur pasuri shtetasve Besmir Prifti dhe Sonila Goxhaj, si dhe transaksionet me ta, gjithashtu edhe sipërfaqen e ndërtimit mbetur në pronësi në pallatin ku ndodhen këto pasuri. Shitjet janë vërtetuar si fiktive, me qëllim mbulimin/fshehtjen e burimit të shumës prej 270,000 euro, dhënë si rimbursim nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Ky deklarim i rremë është kryer në deklaratat e dorëzuara më 29.3.2019, 10.2022 (në bashkëpunim me Albina Mançkën) dhe 23.3.2023.
- Ka kryer deklarim të rremë, duke fshehur burimin e vërtetë të shumës prej 30,000 euro, të gjetur gjatë kontrollit të vilës në Hamallaj, e deklaruar si dhuratë. Ky deklarim i rremë, bërë në deklaratën e dorëzuar më 3.2023, është kryer në bashkëpunim me Erjola Hoxhën.
- Ka kryer deklarim të rremë, duke fshehur vilën në Hamallaj, e vlerësuar në 230,000 euro, porositur për të që prej vitit 2017 nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, dhe përfituar në vijim nëpërmjet Gerian Kuka dhe Erjola Hoxha. Gjithashtu, ka kryer deklarim të rremë dhe fshehur shpenzimet për investim në këtë vilë, në shumën prej 145,100 euro dhe 1,550,880 lekë. Ky deklarim i rremë është bërë në deklaratat e pasurisë të dorëzuara më 29.3.2019, 29.5.2020, 31.3.2021, 26.10.2022 (në bashkëpunim me Erjola Hoxhën), dhe 23.3.2023, 31.3.2024.
- Ka kryer deklarim të rremë, duke fshehur burimin, kohën e fitimit dhe vetë pronësinë e vilës në Green Coast, Palasë, e cila paraqitej sikur kishte prenotuese mikeshën e Albina Mançkës, Elda Dinaj (vila nr. 73), e vlerësuar bashkë me parkimin në shumën 387,731 euro, si dhe shpenzimet për investime në këtë vilë, të kryera gjatë viteve 2020-2021, në shumën 115,897 euro dhe 1,169,900 lekë. Kjo fshehje është kryer në bashkëpunim me Albina Mançkën në deklaratat e dorëzuara më 3.2019, 29.5.2020, 31.3.2021, 26.10.2022, dhe vetëm në deklaratën e dorëzuar më 23.03.2023.
- Ka kryer deklarim të rremë, duke fshehur burimin e vërtetë të shumës së deklaruar nga bashkëjetuesja e tij, Erjola Hoxha, si e ardhur nga aktiviteti tregtar i shoqërisë “3S Consulting” sh.p.k., me ortak të vetëm shtetasen Erjola Hoxha. Ky deklarim i rremë është kryer në bashkëpunim me Erjola Hoxhën, në deklaratat e dorëzuara më 23.3.2023 dhe 31.3.2024.
- Ka kryer deklarim të rremë, në formën e fshehjes në deklaratën e dorëzuar pranë ILDKPKI më 29.3.2019, lidhur me burimin dhe shumën e shpenzuar prej 93,500 euro në kazino Dragonara, Maltë.
Akuzat për pastrim parash:
Arben Ahmetaj akuzohet edhe për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287, paragrafi i dytë i Kodit Penal, në format dhe episodet e mëposhtme:
- Lidhur me shumën e investimit në ambientin AirBnb për vitin 2019, prej minimalisht 420,356 lekë, në bashkëpunim me Albina Mançkën, Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin.
- Për shumën e investimit në ambientin AirBnb për vitin 2020, prej minimalisht 1,587,017 lekë, në bashkëpunim me Albina Mançkën, Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin.
- Për shumën prej 170,480 euro të përfituar në mënyrë të tërthortë nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pasqyruar si shitje për Andi Bonin, në bashkëpunim me Albina Mançkën, Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin.
- Për shumën totale prej 270,000 euro marrë nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet Besmir Priftit dhe Sonila Goxhaj, në bashkëpunim me Albina Mançkën, Klodian Zoton, Mirel Mërtirin dhe Sokol Meqemejan.
- Lidhur me veprimet e kryera për fshehjen e pronësisë së vilës në Hamallaj dhe shpenzimet për të, në bashkëpunim me Erjola Hoxhën, Klodian Zoton, Mirel Mërtirin dhe Gerian Kukën.
- Për veprimet e kryera për fshehjen e pronësisë së vilës nr. 73 në Green Coast, Palasë, dhe investimit për të, në bashkëpunim me Albina Mançkën dhe Elda Dinajn.
Akuzat për personat e tjerë të pandehur:
- Albina Mançka: Akuzohet për veprat penale të “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” (6 herë, në bashkëpunim me Arben Ahmetajn, në rrethanat rënduese) dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” (5 episode, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë).
- Erjola Hoxha: Akuzohet për veprat penale të “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” (4 herë, në rrethanat rënduese) dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” (kryer në bashkëpunim, sipas shkronjave ‘b’ dhe ‘c’ të nenit 287, paragrafi i dytë).
- Mirel Mërtiri (alias Klodian Mërtiri) dhe Klodian Zoto: Akuzohen për veprat penale të “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” (në bashkëpunim) dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” (5 episode, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë).
- Andi Boni, Elda Dinaj, Gerian Kuka, Helidon Begaj, Sonila Goxhaj dhe Sokol Meqemeja: Akuzohen për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” (në bashkëpunim).
Në vijim përditësimet.
