SPAK dorëzon dosjen për Veliajn: 13 akuza për Kryebashkiakun

SPAK dorëzon aktet hetimore për Erion Veliajn në Burgun e Durrësit

Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar ditën e sotme aktet hetimore për kryebashkiakun e arrestuar Erion Veliajn. Mësohet se SPAK ka dorëzuar dosjen me 61 mijë faqe pranë burgut të Durrësit.

Për çfarë akuzohet Veliaj?

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen për kryebashkiakun Erion Veliaj. Dosja përmban 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.

Në përfundim të hetimeve paraprake, është rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në 9 raste të veçanta, kanë përfituar në mënyrë të parregullt shuma monetare dhe pasuri të paluajtshme. Këto përfitime janë marrë nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilat nga ana e tyre kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Hetimi penal ka grumbulluar të dhëna konkrete që provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, ka miratuar me firmën e tij shpërndarjen e këtyre fondeve. Këto fonde më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe persona të afërt me të.

Gjithashtu, të pandehurit, për shkak të funksionit të Veliajt, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme me vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.

Në të gjitha këto episode, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, si edhe organizatat jofitimprurëse të përmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës së kryer nga i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.

Scroll to Top