“`html
20 mijë euro ryshfet për ekstradimin/ SPAK dërgon për gjykim ish-gardistin
SPAK ka dërguar për gjykim tre persona të akuzuar për ushtrimin e ndikimit të paligjshëm në procedurën e transferimit të një të dënuari.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka depozituar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e çështjes penale nr. 196 të vitit 2025, e cila ngre akuza ndaj tre personave:
- Zef Mali: akuzuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 4 dhe 25 të Kodit Penal.
- Kreshnik Domi: akuzuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 4 dhe 25 të Kodit Penal.
- Jemine Çoku: akuzuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal.
Hetimet për këtë procedim penal filluan pas referimit të akteve nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Tiranë. Falë veprimeve hetimore, përdorimit të metodave speciale dhe administrimit të provave, u dokumentua se i pandehuri Zef Mali, në bashkëpunim me të pandehurin Kreshnik Domi, i kanë kërkuar dhe marrë të pandehurës Jemine Çoku një përfitim të parregullt prej 20.000 eurosh.
Në kohën kur Zef Mali kreu këtë veprim, ai mbante detyrën e oficerit të Shtabit për Menaxhimin e Forcave në Gardën e Republikës, ndërsa Kreshnik Domi ishte një person me të cilin Mali kishte lidhje shoqërore.
Sipas hetimeve, ata i kanë premtuar dhe siguruar Jemine Çokut se do të ushtronin ndikim të paligjshëm tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim për të nxitur procedurën e transferimit në Shqipëri të vëllait të saj, Kujtim Çeliku, i cili ishte i dënuar me burgim në Republikën e Turqisë për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Specifikisht, nga janari deri në tetor të vitit 2025, periudhë gjatë së cilës zhvillohej procedura e personit të dënuar, të pandehurit Zef Mali dhe Kreshnik Domi kanë pasur kontakte të vazhdueshme me Jemine Çokun dhe familjarë të saj. Gjatë këtyre kontakteve, ata i kanë siguruar se kishin mundësi të ndikonin tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë për realizimin e transferimit të të dënuarit.
Për këtë arsye, Jemine Çoku u ka dhënë atyre shumën prej 20.000 eurosh, si përfitim të parregullt. Gjatë hetimit është vënë re gjithashtu edhe fillimi i procedurës ligjore të transferimit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për shtetasin shqiptar Kujtim Çeliku, për të shlyer pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa të vërtetohet fajesia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
“`
