SPAK godet skemën e drogës dhe kullave në Tiranë

**Zbardhet krijimi i “Korporatës Aruba”, SPAK godet skemën e miliardave të drogës dhe kullave në Tiranë**

Ishulli ekzotik i Arubës, në Karaibe, u bë vendtakimi në fund të janarit 2019 për një grup burrash nga Shqipëria, por vëmendja e tyre nuk ishte drejtuar drejt turizmit. Nën diellin e Antileve Holandeze, larg Tiranës, ata diskutuan marrëveshje biznesi me tre shtylla kryesore: logjistikën e trafikut të kokainës në Amerikën Latine, transaksionet me toka në kryeqytet dhe bregdet, si dhe projektet e zhvillimit për kulla dhe resorte turistike.

Personi kyç i takimit ishte Artur Shehu, një figurë kontroverse nga Vlora, i cili jeton prej dy dekadash në Florida, SHBA. Në takimin, të cilin autoritetet e huaja e kanë vëzhguar, morën pjesë gjithashtu bashkëpunëtorët e tij: Arben Ismailaj, Elton Memeti, Adrian Rama dhe Bujar Shehaj. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), të drejtuara nga prokurorët Altin Dumani dhe Elida Kaçkini, të cilat filluan fillimisht për transaksione të dyshuara të tokave në Zvërnec, ky nuk ishte takimi i vetëm i Shehut për menaxhimin e interesave të tij në Shqipëri.

“Shehu merr pjesë në takime në Spanjë, Monako, Gjermani, Aruba, ndër të tjera, në të cilat është planifikuar blerja, transportimi dhe futja e sasive të mëdha të drogës në Evropë,” thuhet në një vendim të SPAK, ku përmenden edhe takime me “funksionarë të lartë shtetërorë të shtetit shqiptar”.

Hetimet e sjella në vëmendje nga BIRN zbulojnë mashtrime masive me tokat në bregdet dhe pastrimin e parave të trafikut ndërkombëtar të kokainës, të cilat janë investuar në kulla në Tiranë dhe projekte të tjera zhvillimi, përfshirë tokat ku pritet të ndërtohet resorti në Zvërnec, reklamuar nga Jared Kushner.

Të premten, Gjykata e Posaçme miratoi 20 urdhër-arreste për vepra penale si pastrimi i parave, grup i strukturuar kriminal dhe trafik ndërkombëtar droge. Mes të targetuarve janë Artur Shehu, dy biznesmenët e mëdhenj të ndërtimit në Tiranë, Ilir Shtufi dhe Orest Sota, si dhe persona të tjerë të lidhur me trafikun e drogës apo transaksionet me toka.

Dosjet hetimore, të lidhura me tre procedime penale të ndara, hedhin dritë mbi një bashkëjetesë mes botës së krimit dhe biznesit, të implikuar në projekte të miratuara nga qeveria “Rama” gjatë dekadës së fundit. Këto përfshijnë kullat “Garden Building” dhe “Colonnade” të Ilir Shtufit, resortin “Green Coast” në Palasë të grupit Balfin (pronësi e Samir Manes), një truall pranë stadiumit “Air Albania”, si dhe sipërfaqe të mëdha tokash në Zvërnec dhe pjesë të tjera të bregdetit, ku përfitues kryesor rezulton Artur Shehu.

Dokumentet gjyqësore tregojnë se perandoria e fshehtë e pasurive të paluajtshme shtrihet në dy dekada mashtrime, trafik ndërkombëtar droge dhe korrupsion shtetëror. Pasuritë e sekuestruara arrijnë vlera marramendëse.

**‘Samiti’ i Arubës**

Detajet e takimeve të Artur Shehut në Majorka, Gjermani, Aruba dhe Belgjikë u zbuluan dhe u vëzhguan në kuadër të një hetimi evropian të vitit 2019 mbi aktivitetet kriminale të “Klanit Osmani”. Dokumentet theksojnë se midis 24 dhe 31 janarit 2019, në ishullin e Arubës u zhvilluan vëzhgime të disa takimeve mes një grupi shqiptarësh të përfshirë në narkotrafik.

Qëllimi i këtyre udhëtimeve ishte i dyfishtë. Nga njëra anë, planifikohej logjistika e karteleve, duke synuar “blerjen, transportimin dhe futjen e sasive të mëdha të drogës në Evropë”, siç theksohet në dosjen hetimore të dërguar nga autoritetet spanjolle. Nga ana tjetër, Aruba shërbeu si pikënisje për investimet në Shqipëri, të cilat, sipas hetuesve belgë të referuar nga SPAK, kishin mbështetje politike në Tiranë. Dokumentet belge nënvizojnë se “këto takime duket se kanë të bëjnë me projekte pasurish të paluajtshme në Shqipëri, potencialisht të financuara me fonde të paligjshme, me mbështetjen e autoriteteve politike.”

Për të injektuar këto shuma marramendëse të fituara nga trafiku në ekonominë e ligjshme, grupi ngriti një skemë klasike, por masive, të pastrimit të parave. Faza e parë, ajo e “vendosjes”, realizohej përmes transferimit të parave të drogës me sisteme alternative si rrugët fizike ose sistemi “hawala”. Më pas vinte manipulimi i pronësisë. Një nga mjetet më flagrante ishte përdorimi i dokumenteve historike të falsifikuara. Për tokat në Zvërnec u përdor “Regjistri Daimi i vitit 1318, nr. rendor 47”, një dokument në gjuhën osmane që pretendonte se e bënte një paraardhës të tyre, Seit Ahmet Shehu, pronar të mijëra metrave katrorë pyll dhe kullotë. Proceset gjyqësore vërtetuan më vonë se ky dokument, i paraqitur për kthimin e pronave, ishte tërësisht i manipuluar dhe i përkthyer qëllimisht gabim.

Pasi pronat “fitoheshin”, ato i nënshtroheshin një procesi të gjatë shtresëzimi. Dosja shpjegon se pastrimi bëhej përmes “copëzimeve të shumta të tyre dhe më pas tjetërsimeve të tyre, në format e blerjes, shkëmbimit apo formave të tjera, me qëllim vështirësimin e gjurmimit”. Hapi final ishte dhënia e këtyre trojeve për “subjektet zhvilluese ndërtuese, në marrëveshje ndërmjet tyre, duke integruar dhe përzier në këtë mënyrë të ardhurat e paligjshme me ato të ligjshme”. Ky modus operandi, sipas Prokurorisë, ka lënë gjurmë në projekte gjigante si vilat në Palasë dhe godina polifunksionale “Garden Building” në rrugën e Kavajës në Tiranë.

Hetimet tregojnë se i ashtuquajturi “samiti i Arubës” ka vendosur fatet e dhjetëra projekteve, që janë tashmë pjesë e dukshme apo fytyra e Tiranës dhe bregdetit të Shqipërisë.

**Prapaskenat e zbuluara nga Sky ECC**

Komunikimet e dekriptuara nga aplikacioni i koduar, Sky ECC, zbulojnë qartë se si anëtarët e rrjetit menaxhonin pazaret miliona-euroshe të pasurive të paluajtshme dhe drogës, njëlloj sikur të bënin pazar për produkte të përditshme. Bisedat konfirmojnë interesin e tyre të lartë për tokat në jug të vendit.

Në një mesazh të datës 9 shtator 2020, një nga anëtarët i shkruan një tjetri, të shqetësuar për rrjedhjen e informacionit dhe çmimet e larta të tokave: “Cpb vlla, degjo se paska qen ai shoku jot prap te indjani dhe paska fol per Zvërnecin për çmim toke po mos i thuj gjë si qysh tek që mos prishim pun…”. Më tej theksohet: “Kan fol ato për çmim për Palasen tek ty dhe për në Zvernec”, duke shtuar se “…ka hall kusho mos del bllof me çmimin qe mund të jen fol ato vlla kupton”.

Bisedat janë mes Alfredo Hamzait dhe Adrian Ramës, dy bashkëpunëtorë të Artur Shehut. Prokuroria thotë se këto biseda po ashtu tregojnë se Shehu e të tjerë ishin në dijeni të trafikut të narkotikëve. Shehu, megjithatë, sipas prokurorisë është i kujdesshëm dhe kërkon që bisedat për drogën dhe tokat të bëhen drejtpërdrejt. Në një rast, ai urdhëron vartësin ta priste në Stamboll, ku ai po udhëtonte nga Shtetet e Bashkuara.

Në biseda të tjera, ata udhëzojnë drejtpërdrejt lidhjen e kontratave për vilat në resortet luksoze bregdetare. Në korrik 2020, një përdorues urdhëron: “na fol me ate te viles te vi ai djali te firmosi. 70 do ja kaloj ne bank, tjerat e rregullojme me vone”:. Një mesazh tjetër thekson urgjencën e transaksionit: “na fol me ate te vilave ta presi këtë shokun tim ne Vlorë t’i bëj kontratën e 98/2. Na jep nji numër ose ta presi Adi”. Edhe emrat e noterëve e biznesmenëve të njohur në vend përmenden me lehtësi në bisedat e tyre rreth ligjërimit të pronave.

Këto copëza komunikimesh konfirmojnë pikërisht atë që Prokuroria e Posaçme ka ngritur si akuzë: personat nën hetim kishin kaluar nga logjistika e kontejnerëve me lëndë narkotike, në ndërtimin e një perandorie betoni.

**Nga Zvërneci te kullat e Tiranës**

Në dokumentet e SPAK, takimet, bisedat e koduara dhe transaksionet e pronave lidhen në një skemë të vetme, ku pasuritë e dyshuara si të përfituara përmes falsifikimeve apo parave të trafikut futeshin më pas në ciklin e ndërtimit. Sipas Prokurorisë së Posaçme, personat nën hetim përdornin “falsifikimin e dokumenteve të përfitimit të pronësisë duke krijuar pronësi të pavërtetë ose duke shtuar sipërfaqet e pronësisë”. Ata kryenin më pas copëzimet e shumta të tyre dhe tjetërsimin, në format e blerjes, shkëmbimit apo dhurimit, me qëllim vështirësimin e gjurmimit. Tokat u jepeshin më pas subjekteve zhvilluese dhe ndërtuese, duke integruar dhe përzierë në këtë mënyrë të ardhurat e paligjshme me ato të ligjshme.

Kjo mënyrë veprimi, sipas dosjes, shfaqet në truallin pranë stadiumit “Air Albania”, në rrugën “Dervish Hima”, ku prokuroria thotë se veprimet janë kryer nga Adrian Rama, Artur Shehu, Elton Memeti, Alfredo Hamzai dhe Ardian Zykaj “të paktën nga vitet 2017 e në vijim”. E njëjta skemë, sipas SPAK, shtrihet edhe në vilat e kompleksit “Green Coast” në Palasë, në tokat e përdorura për ndërtimin e këtij kompleksi, në projektet e ndërtimit në Tiranë, si dhe në shoqëri ndërtimi apo kompani të lidhura me personat nën hetim.

Për pronat në Zvërnec, prokuroria është edhe më e drejtpërdrejtë. Në kërkesën e pranuar nga Gjykata e Posaçme, ajo thotë se nga hetimet kanë dalë “dyshime të arsyeshme të bazuara në prova” se pasuritë aty “janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nëpërmjet falsifikimeve”. Sipas dosjes, këto prona dyshohet se janë përfituar “duke përdorur dokumente të falsifikuara”, si për njohjen e pronësisë nga institucionet shtetërore, ashtu edhe për regjistrimin e saj për efekt trashëgimie.

Në vendim përmendet edhe dokumenti i shumëpërfolur i njohur si “Regjistri i Daimit”, për të cilin Gjykata e Lartë, sipas prokurorisë, ka konfirmuar në arsyetimin e saj se “ka rezultuar i falsifikuar”. Prokuroria shton se toka në Zvërnec dyshohet të jetë zhvendosur drejt bregdetit dhe se mënyra e kalimit të saj tek Artur Shehu përmes shitjeve e shkëmbimeve tregon “mënyrën se si ky shtetas ka përfituar toka të shumta”, me qëllimin e mëvonshëm të shitjes apo investimeve.

Për këtë arsye, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestro preventive mbi shumën e krijuar nga transaksioni me kompaninë “Albania Land Development” të administruar nga Redi Struga dhe në pronësi të dy vëllezërve nga Katari, Al Khayyat. Shuma e sekuestruar në këtë vendim është 128,354,437 euro, e ndarë në tre pagesa. Bllokimi i menjëhershëm u miratua nga gjykata me argumentin se: “ekziston një rrezik i lartë dhe konkret që këto pasuri të tjetërsohen, asgjësohen apo të transferohen te të tretë”.

**Masat e sigurisë të miratuara nga GJKKO:**

  • 1-Ardian Zykaj, alias Blerim Miftari
  • 2-Alfredo Hamzai, alias Genc Bedini
  • 3-Adrian Rama
  • 4-Erjon Rama
  • 5-Orgest Birçaj
  • 6- Orest Sota
  • 7- Elton Memeti
  • 8-Artur Shehu
  • 9-Leonard Bishaj
  • 10-Arben Ismailaj
  • 11-Edmond Jaupi
  • 12-Besnik Myftari
  • 13-Dritan Aga
  • 14-Luçiano Koçeku alias Artur Mersin Koçeku
  • 15-Dino Koçeku, alias Abedin Koçeku
  • 16-Ervin Koçeku
  • 17-Astrit Vladi
  • 18-Kastriot Vladi
  • 19- Gëzim Islami
  • 20-Ilir Shtufi
Scroll to Top