SPAK konfirmoi dënimin në Greqi, KLGJ e fut në rend dite çështjen e Irena Gjokës
Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka vendosur të fusë në rendin e ditës çështjen që i përket gjyqtares Irena Gjoka.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar një procedim penal pas një kallëzimi ndaj gjyqtares Irena Gjoka. Ajo akuzohet se ka fshehur nga formulari i vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës një dënim penal të dhënë nga drejtësia greke për falsifikimin e një pasaporte dhe një vize në mesin e viteve 2000.
Kallëzimi ishte depozituar në SPAK nga Adriana Kalaja. Sipas SPAK, procedimi është regjistruar për veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. Ende nuk është regjistruar ndonjë person si nën hetim.
Pas një hetimi administrativ që zgjati rreth 20 muaj, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të martën se i kishte dërguar zyrtarisht më datë 19 janar 2026 rezultatet e këtij verifikimi pranë KLGj-së, i cili është organi kompetent për të interpretuar rezultatet e gjetjeve.
Akuzat ndaj Gjokës u bënë publike pasi ajo firmosi masat e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me dosjen “Partizani”. Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë akuzuar vazhdimisht Gjokën, duke pretenduar se ajo është në konflikt interesi dhe se ka fshehur të kaluarën e saj, përfshi dënimin penal në Greqi.
KLGJ, e cila shqyrton ankesat, kërkoi verifikim të rastit nga Prokuroria e Përgjithshme.
