SPAK kërkon 13 vite burg për Rezart Taçin, akuzat për pastrim parash

SPAK kërkon 13 vite burg për Rezart Taçin dhe konfiskimin e 18 milionë eurove

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar dënimin me 13 vite burg për biznesmenin Rezart Taçi. Ai akuzohet për pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, në lidhje me një shumë prej rreth 18.3 milionë eurosh, që dyshohet se i përkiste mafias italiane “Cosa Nostra”.

Në seancën e zhvilluar pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, prokurori Klodian Braho ka kërkuar gjithashtu konfiskimin përfundimtar të shumës së bllokuar në bankat shqiptare. Sipas SPAK, kjo shumë ishte destinuar të pastrohej përmes transaksioneve të lidhura me kompani të sektorit të naftës.

Rezart Taçi po gjykohet në mungesë, pasi ndodhet në arrati që prej vitit 2021. Për katër shtetasit italianë të dyshuar në këtë skemë – Francesco Zummo, Ignazio Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli – çështja është veçuar dhe po trajtohet nga autoritetet italiane.

Hetimet e SPAK zbulojnë se fondet, në vlerë rreth 18.4 milionë euro, u bllokuan fillimisht në një bankë në Shqipëri në nëntor 2021 dhe më pas u konfiskuan. Sipas SPAK, paratë do të transferoheshin përmes disa bankave në vende të ndryshme, me qëllim fshehjen e origjinës së tyre. Biznesmeni shqiptar, Rezart Taçi, dyshohet se do të përfitonte një komision prej 16% të shumës së transferuar.

Në dosjen e hetimit përmenden edhe Artur Balla dhe Bledar Lilo, të cilët sipas akuzës kanë ndihmuar shtetasit italianë në hapjen e llogarive bankare dhe kryerjen e transfertave. Për këtë çështje, Bledar Lilo është dënuar me 6 vite e 8 muaj burgim, ndërsa Artur Balla me 7 vjet e 4 muaj.

Seanca e radhës ndaj Rezart Taçit është caktuar më 3 mars, kur pritet të paraqitet mbrojtja dhe të shpallet vendimi.

Scroll to Top