SPAK kërkon arrestimin e Belinda Ballukut

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, mblidhet sot Këshilli i Mandateve

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet sot, më 19 dhjetor, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) lidhur me heqjen e imunitetit dhe autorizimin për arrestimin e zv/kryeministres, ministres dhe deputetes, Belinda Balluku.

Ky veprim i SPAK hap rrugën për caktimin e masave të sigurisë si “arrest në burg” apo “arrest në shtëpi”.

Procedura parlamentare në raste të tilla:

Procedura për këtë situatë përcaktohet në nenet 118 dhe 119 të Rregullores së Kuvendit. Kërkesa i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i SPAK, i cili ka detyrën ta përcjellë për shqyrtim në Këshillin për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet. Në të njëjtën kohë, ai njofton edhe deputetin përkatës, i cili ka të drejtën të paraqesë parashtrimet e tij në Këshill.

Brenda dy javësh, Këshilli i Mandateve duhet të hartojë një raport për seancën plenare, duke rekomanduar rrëzimin ose miratimin e kërkesës për caktimin e masës së sigurisë (arrest në burg, arrest në shtëpi, kontroll personal ose i banesës).

Më pas, Kuvendi, në seancë plenare, vendos me votim të hapur dhënien ose jo të autorizimit. Nëse Kuvendi nuk merr vendim brenda tre muajsh nga paraqitja e kërkesës, ajo konsiderohet e rrëzuar.

Përmbledhje e Neneve 118 dhe 119 të Rregullores së Kuvendit:

  • Neni 118: Kërkesa për autorizim për caktimin e masave të sigurisë (arrest në burg/shtëpi, heqje lirie, kontroll personal/banese) i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga prokurori. Kryetari e dërgon atë menjëherë në Këshillin e Mandateve dhe njofton deputetin. Deputeti njoftohet për kërkesën dhe ka të drejtë të paraqesë shpjegime dhe vërejtje, të përfaqësohet nga mbrojtës ligjor. Brenda 2 javësh, Këshilli harton raport për seancën plenare. Kuvendi vendos me votim të hapur. Nëse nuk ka vendim brenda 3 muajsh, kërkesa konsiderohet e rrëzuar. Këto dispozita vlejnë edhe për anëtarët e Këshillit të Ministrave.
  • Neni 119: Në rast ndalimi ose arrestimi të një deputeti pa autorizim gjatë kryerjes ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë, Prokurori i Përgjithshëm ose Drejtuesi i SPAK njofton menjëherë Kryetarin e Kuvendit. Ky i fundit thërret Këshillin e Mandateve për shqyrtim. Këshilli kryen procedurat brenda 48 orëve. Raporti paraqitet në seancë plenare, e cila thirret brenda 48 orëve. Vendimi merret sipas Kushtetutës.

Njoftimi i SPAK për heqjen e imunitetit:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka dërguar Kuvendit kërkesë për autorizim për heqjen e mandatit ose arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila është nën hetim për disa afera korruptive.

SPAK sqaron se Belinda Balluku është marrë e pandehur për “Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me procedurën e prokurimit për “Ndërtimin e tunelit të Llogarasë”.

Gjithashtu, Balluku është nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi, të lidhura me projekte si Sheshi Shqiponja, Unaza e Tiranës dhe ura mbi lumin Tiranë.

Deklarata e SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbështetur në dispozitat ligjore, ka paraqitur kërkesë pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë të deputetes, ministres dhe zv/kryeministres, Belinda Balluku.

Kjo shtetase është marrë në cilësinë e të pandehurit në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, pasi akuzohet për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, lidhur me procedurën e prokurimit për “Ndërtimin e tunelit të Llogarasë”.

Për më tepër, Belinda Balluku është nën hetim për të njëjtën vepër penale edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi, duke përfshirë projekte të rëndësishme si Sheshi Shqiponja dhe Unaza e Tiranës.

Kjo kërkesë synon marrjen e autorizimit nga Kuvendi për procedimin e mëtejshëm ligjor.

Scroll to Top