SPAK kërkon pushimin e procedimit penal ndaj gjyqtares Irena Gjoka
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar pushimin e procedimit penal ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e cila ishte kallëzuar për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. Kërkesa është depozituar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.
Procedimi penal ishte regjistruar më 5 qershor 2025, pas një kallëzimi të bërë nga Adriana Kalaja, në cilësinë e kryetares së Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit në Partinë Demokratike.
Sipas SPAK, gjatë fazës së hetimeve janë administruar materiale të shumta, duke përfshirë kallëzime shtesë, dokumente nga institucione vendase dhe të huaja, si dhe janë kryer verifikime në Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe autoritetet greke, përmes mekanizmave të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.
SPAK argumenton se nga dokumentacioni i ardhur nga Greqia rezulton se ndaj Irena Gjokës ekziston një vendim i vitit 2005 i Gjykatës së Shkallës së Parë në Janinë, ku ajo është shpallur fajtore për shkelje që lidhen me hyrjen dhe qëndrimin e paligjshëm në territorin grek, duke u dënuar me burgim dhe gjobë. Megjithatë, SPAK thekson se ky gjykim është zhvilluar në mungesë të saj dhe nuk provohet që ajo të jetë njoftuar në mënyrë të rregullt për procesin apo për vendimin. Gjithashtu, nuk ka prova që ajo të ketë marrë dijeni efektive për ekzistencën e këtij vendimi në kohën e dhënies së tij.
Në vijim, nga dokumentacioni i siguruar rezulton se ndaj saj është zhvilluar edhe një proces penal në Greqi, konkretisht me vendimin nr. 1447/2005 të Gjykatës Penale të Shkallës së Parë në Janinë, ku ajo është shpallur fajtore dhe është dënuar për përdorim dokumentesh të parregullta. Megjithatë, ky gjykim është zhvilluar në mungesë të saj, ndërsa njoftimi është realizuar sipas procedurave për persona me vendbanim të panjohur. Në këtë kuadër, nuk rezulton të ketë dokumentacion që provon se ajo është njoftuar realisht dhe në mënyrë efektive as për zhvillimin e gjykimit dhe as për shpalljen e vendimit.
Prokuroria e Posaçme shprehet se autoritetet greke kanë konfirmuar gjithashtu se vendimi nuk ka marrë formë të prerë dhe është arkivuar për shkak të parashkrimit, ndërsa në dëshmitë e penalitetit nuk figuron asnjë dënim penal ndaj saj.
Në këto kushte, SPAK vlerëson se edhe nëse merret i mirëqenë ekzistenca e vendimit, ndjekja penale është e shuar për shkak të parashkrimit dhe mungojnë kushtet ligjore për vijimin e procedimit.
Prokuroria e Posaçme thekson se nuk provohet që gjyqtarja Irena Gjoka të ketë kryer veprën penale për të cilën është kallëzuar, ndaj ka kërkuar pushimin e çështjes në bazë të dispozitave përkatëse të Kodit të Procedurës Penale.
“Duke marrë në konsideratë mungesën e njoftimit të rregullt, zhvillimin e gjykimit në mungesë, si dhe kalimin e afateve ligjore të ndjekjes penale, konstatohet se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për vijimin e mëtejshëm të ndjekjes penale për këtë çështje dhe se nuk provohet që magjistratja Irena Gjoka të ketë kryer veprën penale. Në këto kushte, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar pushimin e çështjes, mbështetur në nenet 28/1, 75/a dhe 328 pika 1, shkronja “d” dhe “dh”, si edhe 329, shkronja “a” të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Kërkesa për pushim tashmë i është dërguar për shqyrtim Gjykatës së Posaçme, e cila do të vendosë mbi vijimin ose jo të këtij procedimi.
