SPAK: Si u zbulua nofka “palloshi i gjatë” për Ramën

Përgjimet: Si e mësoi SPAK se Balluku e thërriste Ramën “palloshi i gjatë”

Si u zbulua në celularin e Berberit tallja e shefes së tij për kryeministrin.

Ditët e fundit, që kur doli lajmi se Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK, shumë eksponentë të opozitës, duke përfshirë Sali Berishën, po i kujtojnë me ironi faktin që ajo i etiketonte shefin e saj si “palloshi i gjatë” mes vartësve.

Kjo nuk është thjesht një nga nofkat që lideri historik i PD-së, në stilin e tij proverbial, u ngjit kundërshtarëve politikë. Lapsi.al ka zbuluar se ky është një togfjalësh që gjendet në dosjen e zv/kryeministres.

Ashtu sikurse dihet tashmë, Balluku ka rënë në çark falë mesazheve që u gjetën në celularin e sekuestruar të ish-vartësit të saj Ervis Berberi, ish-drejtor i rrugëve, i burgosur për abuzime në tendera.

Ndërmjet të tjerave, në mesazhet që Berberi ruante, madje për t’i pasur të sigurta, i kalonte edhe me screenshot te celulari i gruas, gjendet edhe një që Belinda i ka shkruar atij. Ajo i bën me dije se në një orë të caktuar do hynte tek zyra e Ramës dhe pas 5 minutash që ajo do të gjendej aty, ai duhet t’i dërgonte një njoftim në telefon, në mënyrë që të dy të shtirë të sikur po e mësonin aty për një çështje që ata kishin vendosur t’i paraqisnin kryeministrit si surprizë, duke dashur t’ia hedhin atij.

Në këtë kontekst, Balluku i shkruan Berberit: “Në filan orë do hyj tek Palloshi i gjatë…”.

Ndonëse për shkak se nuk ka shkuar ende në gjykatë, nga dosja Balluku ka rrjedhur shumë pak. Publiku nuk është njohur ende me imtësitë e saj, siç ka ndodhur me dosje të ngjashme. Prandaj, nuk dihet me saktësi se për çfarë teme po komunikonin të dy bashkëbiseduesit, as dhe se pse kjo i ka interesuar hetuesve.

Por një gjë është e sigurtë. Ndoshta për t’i çuar sinjal Ramës se nuk duhet të vazhdojë me mbrojtjen e zëvendëses së tij, prokurorët e kanë lënë qëllimisht këtë informacion të rëshqasë.

Vështirë të kuptohet se çfarë efekti ka pasur ky “zbulim” dhe se cilën pjesë Rama e ka prekur më shumë: etiketimin që i bënte Belinda me vartësit apo bashkëpunimin mes tyre në përpjekje për t’ia hedhur atij.

Scroll to Top